Kryesore Ivanov fut Maqedoninë në kolaps, refuzon Zaevin: Pengesë platforma shqiptare

Ivanov fut Maqedoninë në kolaps, refuzon Zaevin: Pengesë platforma shqiptare

Kriza paszgjedhore në Maqedoni përshkallëzohet edhe më tej. Presidenti i vendit, Gjorgje Ivanov, ashtu siç paralajmëruan disa zëra në Shkup dhe jashtë tij, refuzoi t’i japë mandatimin kreut të LSDM-së, Zoran Zaev.

Ivanov doli para mediave në një konferencë për shtyp rreth orës 16:30, ku bëri publik vendimin e tij.

“As Kushtetuta dhe as vetëdija ime nuk më lejojnë që të jap mandatimin për dikë që minon pavarësinë dhe sovranitetin e Maqedonisë”, tha ai.

Ai u ndal tek platforma e partive shqiptare, duke akuzuar sërish se kjo platformë është përgatitur nga një vend tjetër.

“Platforma e nxitur nga një shtet i huaj është një pengesë për mua që të mandatoj kreun e LSDM-së Zoran Zaev”, tha Ivanov.

Në fund ai ka dashur të qetësojë protestuesit maqedonas që kanë dalë në rrugë kundër zyrtarizimit të gjuhës shqipe.

“Sa të jem unë President i Maqedonisë nuk do t’i jap mandat askujt që angazhohet, ose që në program të tij ka rrënimin e pavarësisë dhe sovranitetin e Maqedonisë”, thotë Ivanov.

Pas këtij vendimi të Presidentit maqedonas, vendi me gjasa do t’u drejtohet sërish kutive të votimit.