Bota Izrael, dyshime se vaksina anti-Covid shkakton çrregullime të ciklit menstrual

Izrael, dyshime se vaksina anti-Covid shkakton çrregullime të ciklit menstrual

Studiuesit izraelitë po përqendrohen në një fenomen që dyshohet se është efekt anësor i vaksinës kundër Covid-19. Ajo që nisi si një raportim i grave të vaksinuara në rrjetet sociale, mori përmasa të tilla saqë një studim i ri do të duhet t’i japë përgjigje. Në shkurt, menjëherë pasi gratë në moshë për të lindur fëmijë filluan të marrin dozën e dytë, shumë prej tyre postuan në mediat sociale se po përjetonin ndryshime në ciklin menstrual menjëherë pas injeksionit, të tilla si parregullsi dhe gjakderdhje të shtuar. Gra të tjera raportuan se u ishte rikthyer cikli vite pas menopauzës.

Qeveria izraelite thotë se nuk ka të dhëna për përmasat e këtij fenomeni në vend, pasi ky shqetësim nuk kërkon hospitalizim. Megjithatë, raportime të ngjashme ka pasur edhe në vende si Britania dhe SHBA. Qeveria e kësaj të fundit ka alokuar 1.67 milionë dollarë për kërkime shkencore mbi këtë temë.

Prof. Roni Maimon, kryetar i Shoqatës Izraelite të Obstetrikës dhe Gjinekologjisë, do të kryesojë studimin e ri.

“Për sa i përket biokimisë dhe endokrinologjisë, ne nuk kemi gjetur një lidhje midis ndërprerjes së menstruacioneve dhe vaksinimit. Sidoqoftë, për shkak se jetojmë në një epokë të mjekësisë që bazohet në dëshmi, ne vendosëm ta shqyrtojmë këtë fenomen te një numër i madh grash në Izrael”, tha ai.

Numri i saktë i grave që do të marrin pjesë në studim nuk është vendosur ende. Megjithatë, në rrjetet sociale, diskutimi ka marrë përmasa të tilla, saqë po vihet në pikëpyetje doza e tretë. Izraeli është ndër vendet me normën më të lartë të vaksinimit. Për imunizimin e popullatës është përdorur kryesisht Pfizer, ndërsa pak javë më parë ekspertët rekomanduan një dozë të tretë për mbrojtje më efektive nga Covid-19.