Bota Izraeli përkujton viktimat e Holokaustit

Izraeli përkujton viktimat e Holokaustit

Izraelitët qëndruan në heshtje për dy minuta, ndërsa sirenat ranë në kujtim të gjashtë milionë hebrenjve të vrarë gjatë Holokaustit.

Trafiku u ndal teksa drejtuesit e automjeteve lanë automjetet e tyre për të përkujtuar këtë ditë.

Gjatë 24 orëve të fundit, që filloi dje në mbrëmje, televizioni dhe radioja izraelite transmetuan vetëm përmbajtje të lidhura me Holokaustin.

Kryeministri Benjamin Netanyahu do të marrë pjesë në ceremoninë e vendosjes së kurorës në qendrën e kujtimit të Holokaustit në Yad Vashem në Jeruzalem, ndërkohë që emrat e viktimave të Holokaustit do të lexohen në parlament.

“Sot, Europa është edhe një herë e ndjekur nga fantazmat e të kaluarës. Idetë e superioritetit, pastërtisë racore, ksenofobisë, antisemitizmit të hapur nga e majta dhe e djathta po fluturojnë mbi Europën”, theksoi presidenti izraelit, Rivlin.

“Radikalët e djathtë, e majta radikale dhe islami radikal kanë një qëllim: urrejtjen ndaj hebrenjve”, theksoi kryeministri Benjamin Netanyahu.

“Ky fenomen është shfaqur në sulme ndaj adhuruesve në sinagoga”, tha ai duke iu referuar sulmeve të fundit në SHBA.

Pas fjalimeve të tyre, gjashtë të mbijetuar nga Holokausti ndezën pishtarë në kujtim të viktimave.

Sipas Ministrisë izraelite të Financave, ka mbi 210 000 mbijetues të Holokaustit në Izrael.