Bota Izraeli përplaset me Turqinë, “gëzon” Greqia

Izraeli përplaset me Turqinë, “gëzon” Greqia

Akuza serioze janë bërë nga kryeministri i Izraelit Benjamin Netanyahu në adresë të Presidentit të Turqisë, Erdogan.

Netanyahu, në një postim në Twitter, akuzon Presidentin turk për pushtimin e Qipros Veriore dhe thotë se Erdogan nuk është personi i duhur që të flasë për raportet mes Izraelit dhe Palestinës.

“Erdogani, njeriu që ka okupuar Qipron Veriore, ushtria e të cilit ka masakruar gra dhe fëmijë në fshatrat kurde brenda dhe jashtë Turqisë, nuk mund t’i japë predikime Izraelit”, ka thënë kryeministri Netanyahu.

Përgjigjja ka ardhur nga zëdhënësi i Presidentit të Turqisë, i cili në Twitter ka shkruar: “Në vend që të lutet që Presidenti Erdogan mos të tregojë të vërtetat, Netanyahu duhet t’i japë fund pushtimit të paligjshëm të territorit palestinez dhe shtypjes brutale që po u bën palestinezëve. Duke sulmuar Erdoganin apo duke përdorur kurdët për qëllime politike, nuk do ta shpëtojnë atë nga problemet e brendshme”.

Përplasja mes Izraelit dhe Palestinës është pasqyruar në thuajse të gjitha mediat greke, të cilat i kanë dhënë prioritet.

Kjo për shkak edhe të raporteve të tensionuara mes Greqisë dhe Turqisë, në mesin e të cilave qëndron gjithmonë Qipro.

Gjatë tre ditëve të fundit, ka pasur provokime dhe deklarata kërcënuese mes Greqisë dhe Turqisë. Avionë turq kanë shkelur hapësirën ajrore të Greqisë në Egje.

Kjo ka sjellë reagimin e ashpër të ministrit grek të Mbrojtjes, Panos Kamenos, i cili deklaroi se “do t’i shtypin nëse bëjnë lëvizjen më të vogël“.

Nga ana tjetër, homologu i tij turk i ktheu përgjigje Kamenos duke i thënë “të qëndrojnë larg sfidave, në të kundërt do ta paguajnë shtrenjtë“.