Bota Izraeli voton më 9 prill, koalicioni i Netanyahut shpërndan “Knesset”-in

Izraeli voton më 9 prill, koalicioni i Netanyahut shpërndan “Knesset”-in

Qeveria izraelite vendosi këtë të hënë të mbajë zgjedhje të parakohshme në muajin prill, për shkak se kryeministri Benjamin Netanyahu është ndeshur së fundi me vështirësi të mëdha për mbajtjen të bashkuar të shumicës së tij parlamentare prej vetëm 1 deputeti më shumë, ndërkohë që në muajit në vijim do të përballet edhe me akuzat potenciale për korrupsion.

Pavarësisht shqetësimeve të fundit ligjore e politike të Netanyahut, sondazhet tregojnë se ai do të mbetet kryeministër edhe pas zgjedhjeve të reja, duke e vendosur atë përballë një mundësie historike për t’u bërë kryeministri më jetëgjatë i Izraelit.

Krerët e partive në koalicionin e Netanyahut ranë dakord të zhvillojnë votimin në fillim të prillit, “në emër të përgjegjshmërisë buxhetore dhe kombëtare”, thuhet në një deklaratë të qeverisë.

“Qeveria ishte duke përgatitur një ligj për shpërndarjen e “Knesset”-it, apo Parlamentit izraelit, e për të zhvilluar zgjedhjet më 9 prill”, tha ministrja e Drejtësisë, Ayelet Shaked. Zgjedhjet ishin një opsion i largët deri në nëntor, por prej atëherë ka pasur spekulime të shumta se koalicioni nuk do të zgjaste edhe shumë gjatë, spekulime që janë shtuar së tepërmi në javët e fundit.

Netanyahu, duke folur për gazetarët, paraqiti ato që ai i quajti si arritje të tijat dhe tha se shpresonte për një koalicion të ngjashëm me atë aktualin, i konsideruar edhe si më “konservatoro-ekstremist” në historinë e Izraelit.

“Koalicioni aktual, në sytë e mi është bërthama e koalicionit të ardhshëm. Ne kërkojmë një mandat të qartë nga votuesit, për të vazhduar udhëheqjen e shtetit të Izraelit në rrugëtimin tonë”, tha Netanyahu.

Vendimi ka ardhur pasi koalicioni nuk arriti akordin për një projekligj bazë të lidhur me hebrenjtë ultraortodoksë, që shërbejnë në ushtri njësoj si homologët e tyre laikë. Partitë ultraortodokse kanë 13 deputetë në koalicionin prej 61 deputetësh qeverisës, duke iu dhënë atyre një ndikim domethënës në politikat e vendit.