Politika Ja si “mbrojtësit” e Teatrit Kombëtar përzënë Kujtim Gjuzin

Ja si “mbrojtësit” e Teatrit Kombëtar përzënë Kujtim Gjuzin

Dikur Kujtim Gjuzi ishte shumë aktiv në protestat e shpeshta që artistë dhe qytetarë zhvillonin në sheshin përpara Teatrit Kombëtar, kundër prishjes së godinës.

Shpesh herë ai ishte parë të mbante edhe fjalime në skenën e improvizuar, por me sa duket situata ka ndryshuar që kur Gjuzi pranoi të marrë mandatin e deputetit dhe të bëhet pjesë e Kuvendit të Shqipërisë.

Mbrëmjen e djeshme “mbrojtësit” e Teatrit ishin mobilizuar për të ruajtur TK-në 24 orë, pasi kishin informacione se godina do të rrethohej nga policia, por pak orë pas mesnate aty mbërrin deputeti i opozitës së re Kujtim Gjuzi. Kaq ka mjaftuar që qytetarët ta konsiderojnë këtë vizitë si provokim dhe ta përzënë Gjuzin “me ceremoni” madje edhe duke e ofenduar.

“Nuk ke punë ti këtu! Shiko ata paret që të japin ato! Vjen me Benz në mes të sheshit të Teatrit. Ik more! Ik more, ik ik! Hajde, ik qërohu, ik! Shporru, shporru!”, këto janë vetëm disa nga fjalët që qytetarët i drejtojnë deputetit

Së fundmi, qytetarë të shoqërisë civile dhe artistë që kundërshtojnë prishjen e Teatrit Kombëtar, kanë paralajmëruar se sheshi nuk do të lëshohet për asnjë moment dhe për këtë arsye kanë nisur të bëjnë ‘roje’ 24 orë me turne. Ata thonë se shembja e Teatrit ka filluar zyrtarisht madje e konsiderojnë Teatrin si kalanë e fundit të rezistencës për të gjithë kauzën opozitare dhe se nuk mund të lejojnë që kjo kala të bjerë.