Extra Jada Pinkett pranon se e ka tradhtuar Will Smith-in gjatë kohës që...

Jada Pinkett pranon se e ka tradhtuar Will Smith-in gjatë kohës që ishte e martuar

Këngëtari August Alsina pohoi më herët se ka pasur një lidhje dashurie shumëvjeçare me aktoren Jada Pinkett Smith dhe burri i saj Will Smith jo vetëm që e dinte, por u kishte dhënë leje.

Ky lajm bëri xhiron e rrjetit, ndërsa një zëdhënës i Jada-s mohoi pretendimet për Page Six, duke i quajtur ato “absolutisht jo të vërteta”.

Për të sqaruar të gjitha lajmet që po qarkullojnë prej ditësh, Jada dhe Will Smith u ulën përballë njëri-tjetrit në “Red Table Talk”, duke diskutuar gjithçka që kishte ndodhur asokohe.

Çifti, i cili është martuar që prej vitit 1997, pohoi se po kalonin një periudhë të vështirë së bashku dhe pavarësisht se me letra ishin bashkë, ata ishin ndarë.

Jada Smith e ka pranuar se ka fjetur me 27-vjeçarin August Alsina në një rrëfim përballë burrit të saj. Ajo dhe Alsina ishin për katër vite miq dhe në atë periudhë kishte probleme në martesën e saj me Will.

“Kishim momente të vështira dhe pothuajse ishim të ndarë”, ka thënë Jada.

Deklarata e saj vjen pas fjalëve të August që tha se vetë Will i kishte dhënë bekimin për të fjetur me gruan e tij.

Sipas Jada-s gjithçka nisi për të ndihmuar August për shkak të disa probleme të tij me shëndetin mendor.

“Familja jonë e afroi për ta ndihmuar për shëndetin e tij”, thotë Jada.

Ajo sigurisht nuk e pranoi që Will i ka dhënë bekimin për të pasur një marrëdhënie seksuale jashtëmartesore.

“Njeriu i vetëm që dha leje për këtë gjë, jam unë”, tha Jada.

“Unë doja thjesht të ndihesha mirë. Kishte kohë që s’isha ndjerë mirë dhe ishte gëzim i madh të ndihmoja dikë të shërohej”, tha në fund Jada.

Çifti u shpreh se nuk i detyroheshin askujt shpjegime për jetën personale, mirëpo ky rrëfim duhej për të qartësuar zërat që po flisnin prej kohësh.