Politika “Jam rritur duke u larë në Shkumbin”, Rudina Hajdari do të kandidojë...

“Jam rritur duke u larë në Shkumbin”, Rudina Hajdari do të kandidojë në Elbasan

“Jam rritur duke u larë në Shkumbin”, Rudina Hajdari do të kandidojë në Elbasan

Rudina Hajdari ka shpallur kandidaturën e saj për deputete në qarkun e Elbasanit, nën siglën e Nismës Thurje.

“Zgjodha Elbasanin, jo vetëm se jam rritur duke u larë në lumin Shkumbin, por sepse së bashku me shumë të rinj e të reja ne besojmë se mund të sjellim një ndryshim të vërtetë. Besojmë se Elbasani nuk mund të vazhdojë të jetë një qendër e krimit të organizuar e as të damkoset si i tillë. Besojmë se Elbasani mund të zhvillohet si qendër industriale larg ndotjes dhe mungesës së kujdesit për shëndetin, siç ndodh deri më sot. Besojmë se qarku i Elbasanit ka një potencial të madh për t’u kthyer në një qendër të rëndësishme turistike”, tha ish-deputetja e Partisë Demokratike. “Kjo betejë mes të resë dhe të vjetrës sapo ka nisur dhe fundi dihet: ne do të fitojmë, ata do të humbasin”.

Hajdari shpjegon edhe pse vendosi të kthehet në Shqipëri, për t’u marrë me politikë. “Për dy arsye kryesore. E para: për të ndjekur rrugën e tim ati, i cili e deshi aq shumë këtë vend, saqë dha edhe jetën në shërbim të tij. Dhe e dyta: për të reflektuar në politikën shqiptare ato vlera dhe parime me të cilat u mbrujta gjatë shkollimit dhe punësimit tim në SHBA”.