Ekonomi Janari shënoi ulje të numrit të turistëve

Janari shënoi ulje të numrit të turistëve

Numri i personave që kanë hyrë në Shqipëri për janarin e këtij viti është reduktuar me 5.2 për qind. Instituti i Statistikave publikoi shifrat, sipas të cilave, në janar të 2019 në vendin tonë kanë hyrë 574 mijë e 48 persona.

“Krahasuar me janarin e 2018-ës, ky tregues rezulton me ulje 5,2 për qind. Në Janar 2019, hyrjet e shtetasve të huaj në vend janë 209.520. Krahasuar me Janar 2018, ky numër është ulur me 9,8 për qind. Në Janar 2019, ndër vendet që kanë hyrjet më të larta të shtetasve në Shqipëri, Anglia ka patur rritjen më të madhe me 7,5 për qind dhe uljen më të madhe e kanë pasur shtetasit nga Maqedonia me 19,1 për qind”, thotë INSTAT.

Diferenca mes hyrje-daljeve është më shumë se 100 mijë në favor të këtyre të fundit, por sërish totali i shtetasve të huaj dhe shqiptare që kanë dalë nga Shqipëria rezultojnë me ulje në krahasim me të njëjtën periudhë të një viti më parë.

Ajo që bie në sy është se numri i shtetasve shqiptarë që kanë dalë është rritur me 1.3 për qind, ndërsa i të huajve është ulur me 13.8 për qind.

“Daljet e shtetasve shqiptarë dhe të huaj nga vendi, gjatë muajit Janar 2019 janë 693.657, duke shënuar një ulje me 4,5 %, krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë. Daljet e shtetasve shqiptarë nga territori i Shqipërisë, gjatë muajit Janar 2019, janë 453.831. Krahasuar me Janar 2018, ky numër është rritur 1,3 %. Daljet e shtetasve të huaj nga territori i Shqipërisë gjatë muajit Janar 2019 janë 239.826, krahasuar me Janar 2018, ky numër është ulur 13,8 %”, thuhet në raportin e INSTAT.