Bota Japonia do gjuajë balenat; Tërhiqet nga Komisioni Ndërkombëtar i Gjuetisë

Japonia do gjuajë balenat; Tërhiqet nga Komisioni Ndërkombëtar i Gjuetisë

Japonia do të jetë e lirë të gjuajë balena për qëllime tregtare duke nisur nga muaji korrik. Lëvizja që pritet të tërheqë kritika të mëdha globale, vjen bashkë me njoftimin e Tokios se do të tërhiqet nga Komisioni Ndërkombëtar i Gjuetisë (IWC), organizmi i ngarkuar me ruajtjen e balenave.

Pikërisht ky komision e ka ndaluar në 1986-ten gjuetinë e këtyre gjitarëve të detit, pasi disa specie të tyre shkuan pothuajse drejt zhdukjes.

Por zyrtarët në Japoninë që ka qenë pjese e IWC-së që nga 1951-shi, argumentojnë se konsumi i mishit të balenës është pjesë e kulturës së vendit.

Për shumë vite, Japonia ka gjuajtur balena për ato që i cilësonte si “kërkime shkencore” dhe për të shitur mishin, një program i kritikuar gjerësisht nga aktivistet. Vendimi i Tokios ishte i papritur, megjithatë grupet aktiviste paralajmërojnë se ai do të ketë pasoja serioze.

Lëvizja e Japonisë nënkupton se vendi do të jetë tani i lirë të gjuajë edhe specie të mbrojtura aktualisht nga IWC-ja. Një sërë komunitetesh bregdetare në Japoni i kanë gjuajtur balenash prej shekujsh të tërë, por konsumi i tyre pati një rritje të madhe pas Luftës së Dytë Botërore, kur u shndërruan në burimin kryesor të mishit për banoret, ndërsa në dhjetëvjeçarët e fundit ka shënuar sërish rënie.