Opinione Java e Madhe për të krishterët orthodhoksë

Java e Madhe për të krishterët orthodhoksë

Miron Çako*

Të krishterët orthodhoksë, mbasi kanë kreshmuar për dyzet ditë, festojnë të Dielën e Palmave ose Dafinave, kjo në përkujtim të Hyrjes së Krishtit në Jeruzalem. Me palma dhe dafina priteshin në kohët e lashta mbretërit edhe fitimtarët e betejave. Në të njëjtën mënyrë u prit edhe Krishti si mbret i Izraelit, sepse me mrekullinë e fundit që bëri Krishti duke ngjallur mikun e tij Llazarin, i cili qëndroi në varr për katër ditë, Ai jo vetëm tregoi fuqinë e tij hyjnore si Perëndi-Njeri, por i dha një goditje të fortë vdekjes: armikut më të madh të gjithë njerëzimit, duke paralajmëruar kështu ngjalljen eVet dhe të gjithë njerëzimit në ditën e fundit të botës, kur Ai përsëri do vij me lavdi Hyjnore për të gjykuar të gjithë njerzit edhe ata që do kenë vdekur, duke i ngjallur si Llazarin dhe kështu vdekja do të mundet plotësisht.

E HËNA E MADHE

Sipas orës liturgjike, kur në të perënduar të diellit fillon dita e re, të krishterët orthodhoksë në mbrëmjen e të Dieles së Dafinave, fillojnë Javën e Madhe më të shenjtë të vitit liturgjikal në Kishës Orthodhokse, sepse të mëdha, të rëndësishme dhe të mistershme janë ngjarjet që kujtohen në ditët e kësaj Jave.

Shërbesat e Shenjta të Javës së Madhe fillojnë me shërbesat e Dhëndrit. Quhen kështu nga tropari i njohur nga të gjithë orthodhoksët: “Ja se ku po vjen Dhëndri në mes të natës…” Emërtimin “Dhëndër” Perëndia ia jep vetvetes nga marëdhënia e Tij me popullin e Izraelit: “Sepse krijuesi yt është dhëndri yt” (Isaia 54:5). Ky varg shpreh dashurinë e madhe bashkuese dhe me karakter erotik të Perëndisë me popullin e Izraelit, ashtu siç bashkohet dhëndri me nusen. Për më tepër ky emërtim i përshtatet Krishtit i Cili si Biri i Perëndisë edhe Biri i Njeriut, e do me dashuri flijuese Kishën që përbëhet nga nga gjithë popujt e botës, që ta shpëtojë, ta pastrojë e ta shenjtërojë atë për vete në një bashkim të përjetshëm, sepse: “Krishti ka dashur kishën dhe e ka dhënë veten e vet për të,që ta shenjtërojë, pasi e pastroi me larjen e ujit me anë të fjalës,që ta nxjerrë atë përpara vetes të lavdishme, pa njolla a rrudha a ndonjë gjë të tillë, por që të jetë e shenjtë dhe e paqortueshme.” (Efesianëve 5:25-27).

Historia e njerëzimit sipas Biblës, fillon me një martesë të Adamit me Evës: “Kështu Perëndia krijoi njeriun sipas shëmbëlltyrës së vet, sipas shëmbëlltyrës së Perëndisë; Ai krijoi mashkullin e femrën. Dhe Perëndia i bekoi ata” (Zanafilla 1:27- 28). Po ashtu, historia e njerëzimit do të mbarojë me një martesë të Krishtit me Nusen e tij Kishën, në një bashkim të përjetshëm, në qiellin e ri dhe tokën e re: “Le të gëzohemi dhe të ngazëllohemi dhe le t`i japim Atij lavdi, sepse erdhi dasma e Qengjit(Krishti) dhe Nusja e tij (Kisha) është përgatitur! Dhe i është dhënë të vishet me li të hollë, të pastër dhe të shkëlqyeshëm, sepse liri i hollë janë veprat e drejta të shenjtorëve”. “Lum ata që janë ftuar në gostinë e dasmës së Qengjit”(Zbulsea19:7-8-9).

Lidhur me kuptimin e Krishtit si Dhëndër i shpirtit, na tregohet nga një tropar tjetër shumë i njohur, që psalet nga besimtarët orthodhoksë çdo ditë të Javës së Madhe: “Nusëroren tënde shoh, o Shpëtimtari im të stolisur, edhe rrobë nuk kam që të hyj brenda në të, ndriçoma pra stolinë e shpirtit, Dritëdhënes dhe shpëtomë”.

Krishti, Dhëndëri i Kishës, shfaqet para Nuses (Kishës) dhe dasmorëve (besimtarëve) i shpërfytyruar nga mundimet. Në vend të kurorës së artë, ka kurorë më gjemba, si simbol i mallkimit që mori toka nga mëkati i njeriut: “Dhe toka do të jetë e mallkuar … ajo do të prodhojë gjemba dhe bimë gjembore” (Zanafilla 3:18). Në vend të rrobës mbretërore, Ai shfaqet me rrobën e kuqe të talljes, simbol të mëkateve njerëzore, ashtu siç thuhet tek profeti Isaia: “edhe sikur mëkatet tuaja të ishin të kuqe flakë, do të bëhen të bardha si bora, edhe sikur të ishin të kuqe të purpur, do të bëhen si leshi.”(Isaia 1:18) Në vend të skeptrit mbretëror, mban kallamin, simbol i egoizmit dhe rebelimit dhe njerëzor. Krishti duke marrë mbi vete mallkimin, egoizmin, krenarinë, rebelimin dhe çdo mëkat tjetër njerëzor, pagoi për të gjitha me dashurinë e tij flijuese në kryq.

Të Hënën e Madhe e të Shenjtë, të krishterët përkujtojnë gjithashtu dhe mrekullinë e tharjes së pemës së fikut, që u mallkua, sepse Krishti: “duke parë nga larg një fik që kishte gjethe, shkoi për të parë nëse mund të gjente diçka atje; por, kur iu afrua, s`gjeti asgjë përveç gjetheve, sepse nuk ishte koha e fiqve. Atëherë Jisui, duke iu drejtuar fikut, tha: Askush mos ngrëntë kurrë fryt prej teje përjetë” (Mark 11:13-14). Mrekullia qe një paralajmërim për Izraelin, i cili kishte një fe rituialiste vetëm me gjethe, dmth. ceremoni pa fryte besimi. Për këtë Izraeli u braktisë nga bekimi i Perëndisë dhe u mallkua si komb, por dhe një paralajmërim për të krishtert, që të mos përfundojnë në një fe ceremoniale, por pa frytet e Shpirtit Shenjtë që janë: dashuria, gëzimi, paqja, durimi, mirëdashja, mirësia, besimi, zemerbutësia dhe vetëkontrolli. Kundër këtyre gjërave nuk ka ligj.” (Galatasve 5 22-23).

E MARTA E MADHE

Edhe në Martën e Madhe kryhet shërbesa e Dhëndrit sipas troparit: “Ja se ku vjen Dhëndri dhe lum shërbëtori, që do ta gjejë të zgjuar, dhe mjerë ai të cilin do ta gjejë mendjefjetur. Shiko pra, o shpirti im, mos mundesh prej gjumit që të mos jepesh tek vdekja dhe të mbyllesh jashtë mbretërisë; po zgjohu duke thirrur i Shenjtë, i Shenjtë, i Shenjtë, je, o Perëndi, me ndërmjetimet e Hyjlindëses, mëshirona”.

Ky tropar ka lidhje me dy shëmbëlltyra të mësuara nga Krishti; ajo e Dhjetë Virgjëreshave (Mateu 25:1-13) dhe Shëmbëlltyra e Talantave (Mateu 25:14-30), të cilat u kujtojnë të krishterëve, se besimi pa vepra është i pavlerë dhe se besimtarët duhen të jenë gati me besim edhe vepra në çdo kohë, për të pritur Krishtin në ardhjen e tij të dytë, që do jetë e papritur për çdo njeri edhe për gjithë njerëzimin, ashtu si Krishti paralajmëron: “Rrini zgjuar pra se nuk e dini në cilën orë do të vijë Zoti juaj” (Mat. 24:42).

 E MËRKURA E MADHE

Të Mërkurën e Madhe atmosferën e kishës e mbush pendimi prekës dhe mirënjohja e gruas mëkatare, që leu me miro këmbët e Krishtit. Për këtë ngjarje na informon Ungjilli sipas Lukait: “Edhe ja, një grua në atë qytet, e cila ishte mëkatare, kur mori vesh se kishte ndenjur në shtëpinë e Fariseut, pruri një alabastër me miro. Edhe ndenji prapa pranë këmbëve të tij duke qarë, edhe zuri të lagte këmbët e tij me lot, edhe ia fshinte me flokët e kokës së saj, edhe puthte këmbët e tij, edhe ia lyente me miro”     (Luka 7:37-38).

Por në këtë ditë kujtohet edhe mirënjohja e Marias motrës së Llazarit që hodhi mbi kokën e Jisuit një vaj shumë të shtrenjtë që kushtonte 300 dinarë: “Tani, kur Jezusi ishte në Betani, në shtëpinë e lebrozit Simon,iu afrua një grua me një alabastër me vaj të parfumuar shumë të kushtueshëm, dhe ia derdhi mbi kokën e tij, kur ai po rrinte në tryezë. ( Mateu 26: 6-8)

Ky ishte një shpenzim shumë i madh, paga e rreth një viti pune, por aspak i mjaftueshëm për mirënjohje ndaj Krishtit që ishte miku i mëkatarëve.Maria me këtë veprim paralajmëroi vdekjen dhe varrimin e Jisuit. Hebrenjtë e kishin zakon që të vdekurit, para se t’i varrosnin, i lyenin me miro. Pavarësisht se u keqkuptua veprimi i saj dhe u përfol nga nxënësit si shpenzim i tepërt: “Kur e panë këtë gjë dishepujt e tij u zemëruan dhe thanë:”Përse gjithë ky shpenzim i kotë? ”Ky vaj në fakt, mund të shitej shumë shtrejntë dhe paratë tu jepeshin të varfërve”(Mateu 26: 8-9). por Krishti u tha: “Pse e shqetësoni këtë grua? Ajo kreu në fakt një vepër të mirë ndaj meje. Sepse të varfërit do t`i keni përherë me ju, por mua nuk do të më keni përherë. Sepse, duke derdhur këtë vaj të parfumuar mbi trupin tim, ajo e bëri për ta përgatitur trupin tim për varrim.Në të vërtetë unë po ju them se kudo që do të predikohet ky ungjill, në gjithë botën, do të tregohet edhe çfarë bëri kjo grua, në përkujtim të saj” (Mateu 26: 10-13).

Kjo fjalë e Krishtit është vërtetuar,se sa herë që lexohet ky Ungjill dhe çdo të Mërkurë të Madhe, kujtohet ky akt adhurimi, falënderues dhe mirënjohës i Marias ndaj Krishtit. Akti i Marias përligjë të gjtha dhurimet e shtrenjta që besimtarët mirënjohës i kanë bërë prej shekujsh Kishës, Trupit të Krishtit.

Ngjarje tjetër që kujtojnë të krishterët në të Mërkurën e Madhe është marrëveshja që bëri Juda Isakarioti, nxënësi i Jisuit, me kryepriftërinjtë për të tradhëtuar Krishtin: “Atëherë një nga të dymbëdhjetët, ai që quhej Juda Iskarioti, shkoi te kryepriftërinjtë e tha: Ç’do të më jepni, edhe unë t’jua dorëzoj juve atë? Edhe ata i numëruan tridhjetë monedha argjendi.Edhe që atëherë kërkonte kohën e duhur ta dorëzonte” (Math. 26:14-16).

30 monedha argjendi ishte çmimi i një skllavi, që sot ka vlerën e rreth 20 dollarëve. Asnjë nga nxënësit e Krishtit, pavarësisht se kishin dobësitë e tyre, nuk u rrëzuan si Juda që ishte lakmues parash, prandaj apostull Pavli paralajmëron të krishterët : “Sepse lakmia për para është burimi i gjithë të këqijave dhe duke e lakmuar atë fort, disa u larguan nga besimi dhe e tejshpuan veten e tyre me shumë dhimbje”(I Tim. 6:10).

Ditën e mërkurë në mbrëmje kryhet për të krishterët edhe Misteri i Efqelisë. Lyerja me vaj të shejntëruar kryhet që besimtarëve t’u falen mëkatet e tu shërohen plagët në shpirtit e sëmundjet në trup, që ju vijnë nga mëkatet dhe kështu të përforcohen me hirin e Zotit, për të vazhduar në ditët e tjera të Javës së Madhe.

E ENJTJA E MADHE

Të Enjten e Madhe në mëngjes në kishat orthodhokse, kremtohen këto ngjarje të mëdha: larja e këmbëve të nxënësve nga Jisui dhe themelimi i Eukaristisë Hyjnore ,agonia në Gjetsemani dhe arrestimi i Krishtit.

Ungjilli na tregon: “Jisui dërgoi Pjetrin dhe Joanin në qytet duke thënë; Shkoni dhe na bëni gati Pashkën që të hamë” (Luka 22:8). Për judenjtë e Kremtja e Pashkëve ishte përkujtimi vjetor i gjithë historisë së tyre të kalimit nga skllavëria e faraonit në Egjipt për në tokën e premtuar Abrahamit. Ata kujtonin në këtë darkë pashke se si paraarëdhësit e tyre, për t’i shpëtuar ndëshkimit nga engjëlli i vdekjes, i cili do të vriste të gjithë fëmijët e paralindur të egjiptasve, lyen trarët e shtëpive me gjakun e qingjit. Atë natë ata hëngrën mishin e qengjit me bukë pa maja dhe të veshur gati për rrugë, sepse ajo natë ishte Pashkë (kalim).

Jisui dhe nxënësit e Tij po hanin Pashkën një ditë përpara nga Pashka e judejve, që sipas kalendarit hënor, i binte të premten në mbrëmje në ditën e 14-të të muajit Nisan. “Dhe ndërsa po hanin, Jisui mori bukën, e bekoi, e theu, dhe ua dha dishepujve dhe tha: Merrni, hani; ky është trupi im. Pastaj mori kupën, dhe falenderoi, dhe ua dha atyre duke thënë: Pini prej tij të gjithë, sepse ky është gjaku im, gjaku i Dhiatës së Re, i cili është derdhur për shumë për faljen e mëkatëve.” (Mateu 26:26-28).

Me fjalët: “Bëjeni këtë në kujtimin tim”, Krishti i zhvendos nxënësit nga Pashka e judejve në atë Tijën, nga Beslidhja e Vjetër me gjakun e qengjit, në Beslidhjen të Re me gjakun e Qengjit të Perëndisë dhe duke përmbushur në veten e tij Pashkën, kalimin nga vdekja në jetë me anën e vdekjes dhe Ngjalljes së Tij, Krishti u kërkon nxënësve edhe të gjithë atyre që do të besonin tek Ai me anë të apostujve, që të mblidhen së bashku në Darkë Mistike në kujtim të Tij, ku nëpëmjet Kungatën Hyjnore të ripërtërinë bashkimin unik me Atë deri në ardhjen e tij të dytë, ashtu si tha : “Kush ha mishin tim edhe pi gjakun tim mbetet tek mua edhe unë në atë” ( Joani: 6-56).

Në këtë Darkë Mistike kungohet si apostujt e tjerë edhe Juda tradhëtari, por tek ai si dënim hyri djalli që e largoj nga shoqëria e Zotit edhe apostujve dhe çoj në errësirë për të tradhëtuar Krishtin. Kështu besimtarët e pagëzuar dhe të pregatitur sipas regullave strikte para kungatës me agjërim, që të mos biem në mëkatin e Judës kur kungohen në çdo Liturgji Hyjnore luten me pendim : “Në Darkën Tënde Mistike, o Bir i Perëndisë, merrmë sot pjesëtar, se nuk do tua them armiqve misterin, as do të jap puthje si Juda. Por si kusari të thërres: Kujtomë,o Zot kur të vish në Mbretërinë Tënde”.

Në disa Kisha Orthodhokse, si në Jeruzalem, episkopi, zakonisht, u lan këmbët të 12 priftërinjve, një imitim i veprimit të përulur të Zotit Krisht, që lau këmbët e nxënësve dhe të Judës tradhëtarit, si një shembull unikal i përulësisë, shërbimit me dashuri ndaj tjetrit edhe kur ky është armiku yt.

E PREMTJA E ZEZË

Të enjten në mbrëmje Kisha orthodhokse në të gjithë botën kremton të Premten e Madhe dhe sipas popullit quhet e Premte e Zezë. Në këtë ditë të së Premtes së Madhe, të krishterët kujtojnë pësimet e Krishtit: talljet,rahjet me kamzhik, kurorën me gjemba, kryqëzimin, gozhdët, etjen, uthullën, heshtën, braktisjen, dhe të gjitha sa duroi Krishti në Kryq.

Por në të njëjtën kohë, pësimi dhe vdekja e Krishtit në Kryq nuk është i ndarë nga Ngjallja. Madje edhe në këtë ditë të përuljes së thellë të Krishtit deri në vekje kryqi, të krishterët shohin edhe zbulimin e lavdisë së Tij të përjetshme si Zoti i lavdisë me anë të fjalëve që vet Zoti tha: “Dhe unë, kur të jem ngritur lart nga toka, do t`i tërheq të gjithë tek unë” (Joani 12:32). “Edhe pak kohë dhe bota nuk do të më shohë më, por ju do të më shihni; sepse unë jetoj, edhe ju do të jetoni. Atë ditë do të mësoni se unë jam në Atin tim, dhe se ju jeni në mua dhe unë në ju.” (Joani 14:19-20). Kryqi dhe Ngjallja janë aspekte të një akti të pandarë unik shpëtimi. Të krishterët këndojnë këtë ditë: “Kryqi yt, o Zot, është jetë dhe ngjallje”.

Himnet e Shërbesës së Mëngjesit të së Premtes, marrin një formë të veçantë me leximin e Dymbëdhjetë Ungjijve, pjesë të zgjedhura nga katër Ungjijtë që na informojnë për pësimet e Krishtit. Mbasi lexohen gjashtë ungjijtë e parë, në kishë fiken të gjitha dritat, duke krijuar një ambient të zishëm, prifti që kryeson shërbesën mban një kryq të madh dhe me një litani e vë kryqin me Krishtin e kryqëzuar në qendër të kishës, duke kënduar himnin: “Sot varet mbi dru, ai që vari dhenë mbi ujërat. Me purpur të gënjeshtër vishet ai që veshi qiellin me re. Shuplaka duroi ai që çliroi Adamin në Jordan. Me perona u mbërthye Dhëndri i Kishës. Me shtizë u shpua biri i Virgjëreshës. I falemi pësimeve të tua o Krisht. Rrëfena dhe Ngjalljen tënde të lavdëruar”.Pastaj besimtarët shkojnë dhe e i falen me heshtje ikonës së Krishtit të kryqëzuar, duke parë me sytë e tyre shprehjen më të madhe dhe unike të dashurisë së Perëndisë për njerëzit: “Sepse Perëndia e deshi aq shumë botën, sa dha Birin e tij të vetëmlindurin, që, kushdo që beson në të, të mos humbasë, por të ketë jetë të përjetshme” (Joani 3:16).

Krishti i kryqëzuar është shembull frymëzimi për përballimin e sfidave dhe padrejtësive: “Sepse për këtë ju u thirrët, sepse edhe Krishti vuajti për ne, duke ju lënë një shembull, që të ecni pas gjurmës së tij. Ai nuk bëri asnjë mëkat dhe nuk u gjet asnjë mashtrim në gojë të tij”. “Kur e fyenin, nuk e kthente fyerjen, kur vuante, nuk kërcënonte, po dorëzohej tek Ai që gjykon drejtësisht. Ai vet i mbarti mëkatet tona në trupin e tij mbi drurin e kryqit që ne, të vdekur për mëkate, të rrojmë për drejtësi; dhe me plagët e tij ju u shëruat. Sepse ju ishit si dele endacake por tani ju u kthyet te bariu dhe ruajtësi i shpirtrave tuaj.” ( 2 Pjetri 2:21-25). Po ashtu Kryqi Krishtit është mburrja e fitores të së krishterëve kundrejt tre armiqve; djallit, botës edhe mëkatit :“Edhe ata që janë të Krishtit e kanë kryqëzuar mishin bashkë me pasionet dhe lakmitë e tij. Sa për mua, mos ndodhtë kurrë që unë të mburrem me tjetër gjë, veç për kryqin e Zotit tonë Jezu Krisht, për të cilin bota është kryqëzuar tek unë edhe unë te bota” ( Gal 5-24;6-14).

Në mëngjesin e të Premtes së Madhe, pas Orëve të Mëdha, një nga priftërinjtë del nga dera veriore e Hierores dhe i afrohet Kryqit, që qëndron në mes të Kishës. Pastaj, duke e zbritur nga Kryqi figurën e Krishtit, ai e mbështjell atë me një copë të bardhë dhe e shtrin në Tryezën e Shenjtë. Priftërinjtë kështu improvizojnë zbritjen e trupit të Krishtit nga kryqi dhe varrimin nga Nikodhimi dhe Josifi Arimathiani, të cilët e morën trupin nga guvernatori Romak Ponti Pilat edhe e varrosën me të shpejtë në një varr të gërmuar në një shkëmb, sepse në mbrëmje festohej e shtuna e Pashkës Judaike.

Epitafi është një pëlhurë në të cilën është pikturuar ose qëndisur figura e Krishtit të vdekur. Kjo e mbajtur nga priftërijntë, vendoset në një varr të improvizuar dhe të zbukuruar me lule në qendër të Kishës dhe pastaj nderohet nga të gjithë besimtarët.

E SHTUNA E MADHE

Të Shtunën e Madhe, që në kishë kremtohet të premten në darkë, të krishterët orthodhoksë përkujtojnë varrimin e trupit të Krishtit dhe zbritjen e shpirtit të tij në Hadh (bota e të vdekurve). Gjatë ditës të së Shtunës së Madhe, të krishterët sodisin vdekjen e vetë vdekjes. Përgjatë kësaj kohe shohim trupin e Krishtit i cili prehet dhe pushon në varr, si një trim i Cili pushon mbas betejës dhe fitores kundër djallit. Besimtarët e shohim trupin tek pushon në varr, por me besim presin momentin kur Krishti do ngjallet. E gjithë kjo është shprehur në Shërbesën e së Shtunës së Madhe. Nota bazë e kësaj shërbese nuk është kaq shumë vajtuese, pavarësisht se këndohen vajtimet, por më tepër një pritje e kujdesshme e Ngjalljes. Në fund të shërbesës, të gjithë ndjekin Epitafin e zbukuruar me lule jashtë kishës me litani përreth Kishës, siç është Tradita Orthodhokse.

Kisha Orthodhokse e quan këtë ditë e Shtuna e Bekuar e prehjes së trupit të Krishtit nga mundimet e Kryqit. Po kjo prehje është një prehje “aktive”, sepse Krishti si shpirt hyri në kërkim të mikut të tij të vdekur, Adamit, i cili përfaqëson gjithë natyrën njerëzore që ra në tiraninë e vdekjes. Duke mos e gjetur atë në Tokë, Krishti zbret në mbretërinë e vdekjes. Atje në Hadh, Krishti e gjen Adamin dhe Evën dhe u jep atyre dhe shpirtrave të burgosur përsëri jetë të re. Këtë të vërtetë kristologjike na e zbulojnë qartë troparet e Kishës Orthodhokse: “Për Adamin erdhe përmbi dhé ta shpëtosh por se gjete, dhe atëhere në Ferr të zi ndër të vdekurit ke zbritur ta kërkosh”. Kisha me anë të tropareve teologjike na tregon se Adami dëgjoi hapat e Krishtit që po zbriste në Hadh tha: “Unë këto hapa i njoh, janë hapat e Zotit që kur i dëgjova në Parajsë u fsheha se kisha mëkatuar, por në qoftë se Zoti po zbret këtu ku jemi ne të burgosur,kjo do të thotë se shpëtuam”.

Një fenomen hyjnor që e tregon haptazi se Krishti është Drita e Botës që ndriçoi hadhin edhe u dha liri shpirtrave të burgosur që besuan te Ai edhe pritën si Shpëtimtar, është se të Shtunën e Madhe rreth orës 12:00, Patriarku Orthodhoks i Jerusalit, duke mbajtur në duar 33 llambadha, që simbolizojnë 33 vitet e Krishtit në tokë, hyn në varrin e Tërëshenjtë të Zotit Krisht në Kishën e Ngjalljes në Jerusalem. Llambadhat Patriarkut ia ndez vetë Zjarri Hyjnor, i cili zbret nga qielli si flakë ose del nga Varri i Krishtit. Mbasi ndizen nga kjo Flakë Hyjnore qirinjtë e patriarkut orthodhoks, ai del nga varri me qirinj të ndezur si një dëshmi e Dritës së Ngjalljes që ndriçoi ferrin edhe tani ndriçon shpirtrat e besimtarëve.

Mbi këtë ngjarje të përvitshme, tregohet dhe një fakt historik. Në 1759 sulltan Murati I i Jeruzalemit, detyroi patriarkun orthodhoks të Jeruzalemit Sofronin e IV-t, të dalë jashtë Kishës së Ngjalljes bashkë me popullin orthodhoks, sepse atë vit Dritën Hynore do ta mernin armenët monofizitë, të cilët kishin paguar shumë para tek sulltani. Kronika historike tregon se Drita Hyjnore zbriti edhe atë vit, por nuk ia ndezi qirinjtë patriarkut heretik armen që rrinte brenda varrit, por kaloi përmes kishës së madhe, çau tejpërtej kollonën e portës qëndrore, dhe ndezi qirinjtë patriarkut orthodhoks dhe kështu përsëri besimtarët orthodhoksë ishin ata që morën Dritën e Pashkës. Mbas kësaj ngjarje Sulltan Murati shkroi një ferman ku thuhet; “se vetëm patriarku orthodhoks ka të drejtë të marrë Dritën e Shenjtë nga Varri i Krishtit”. Që nga ajo kohë deri më sot, askush nuk guxon të hyjë në Varrin e Krishtit, në ditën e Pashkës, përveç patriarkut orthodhoks, i cili ja u jep këtë dritë gjithë popullit orthodhoks të mbledhur rreth varrit dhe me qirinj të ndezur brohoret me ngazëllim: “Drita e orthodhoksëve! Drita e orthodhoksëve”.

Ky fenomen hyjnor është vula që jep vetë Perëndia Triadik, se me të vërtetë Krishti u Ngjall dhe këtë lajm hyjnor ka të drejtë t’ia dëshmojë me të vërtetë mbarë botës vetëm Kisha Apostolike Orthodhokse e cila është hirplote, Shtylla e së vërtetës, që vazhdon prej shekujsh duke i predikuar mbarë botës, besimtarëve, heretikëve, skizmatikëve, gnostikëve, ateistëve, me doktrinë e me shenja hyjnore, se Krishti u Ngjall! Vërtet u Ngjall!

E gjithë kjo dëshmi paskale simbolizohet me dritën e qiririt që besimtarët të mbledhur nëpër gjithë kishat e botës, presin në mesnatë në fillimin e ditës së Dielë të Pashkës, ta ndezin qiririn nga prifti që shfaqet me një llambadhë të ndezur nga drita e altarit të Kishës dhe që nga Dera e Bukur i fton të gjithë besimtarët: “Ejani merrni dritë prej dritës që s’perëndon dhe lavdëroni Krishtin që u ngjall së vdekurish”.

*Përgjegjësi i Zyrës së Katekizmit të Kryepiskopatës KOASH-it.