Extra Java e punës me 4 ditë, a mund të bëhet realitet?

Java e punës me 4 ditë, a mund të bëhet realitet?

Ndërkohë që stresi dhe mbingarkesa në punë janë bërë diçka e zakontë, një studim i ri shkruan se një javë pune më e shkurtër është me të vërtetë përgjigjja.

Sa orë punoni gjatë javës? Apo kjo pyetje është bërë e pamundur t’i përgjigjesh, duke marrë parasysh gjithë ato herë kur ju është dashur të qëndroni deri në vonë në punë për të përfunduar një projekt, apo orët që keni shpenzuar për t’ju përgjigjur emaile-ve mbrëmjen vonë, madje edhe në fundjavë?

Po marrim si shembull Britaninë e Madhe, ku njerëzit po punojnë gjithnjë e më shumë. Një studim në fillim të vitit nga Trades Union Congress (TUC) tregoi se në Britaninë e Madhe, punohet më shumë gjatë javës krahasuar me disa vende të Bashkimit Europian, mesatarisht 42 orë në javë – vitin e kaluar, gjë që është dy orë më shumë se mesatarja për një punonjës në Bashkimin Europian. Kjo është e barabartë me dy javë e gjysmë në vit.

Në Gjermani, ku punonjësit me kohë të plotë punojnë 1,8 orë më pak në javë, produktiviteti është rritur më shumë se në Britaninë e Madhe. Në Danimarkë, e cila ka orarin më të shkurtër të punës krahasuar me vendet e BE-së, produktiviteti është 23.5% më i lartë.
Por çfarë po ndodh? Si mund ta luftojmë kulturën e qëndrimit në punë për orë të gjata për t’u bërë më produktivë?

Përfitime nga java e punës me katër ditë

Ndërkohë që stresi në punë rritet dhe bëhet një normë e re, po zhvillohen debate të ashpra rreth reduktimit të orarit të punës. Ideja e një jave pune me katër ditë nuk u mor seriozisht pak kohë më parë. Sot, diskutimet po merrem më seriozisht dhe një javë pune me katër ditë po eksperimentohet nga kompani në të gjithë botën. Vitin e kaluar, “Perpetual Guardian” në Zelandën e Re, u bë ndër të parat kompani të mëdha në vend e cila aplikoi për 240 punonjësit e saj reduktimin e orarit të punës, por duke mos e reduktuar pagën. Një studim në këtë kompani tregoi se produktiviteti u rrit, edhe pse punonjësit punonin 7,5 orë më pak në javë.

Produktiviteti nuk ishte i vetmi që u përmirësua. Punonjësit ndien përmirësimin e ekuilibrit jetë profesionale – jetë personale (nga 54% përpara eksperimentimit në 78% më pas), ndërkohë që niveli i stresit u ul. Sipas themeluesit të kompanisë Andrew Barnes, eksperimentimi tregoi se java e punës me katër ditë tashmë nuk është vetëm një mundësi teorike. “Kjo është një ide, së cilës i ka ardhur momenti”.

Kërkesa për më shumë fleksibilitet në punë padyshim që është rritur, me millennialls – të cilët tani përbëjnë përqindjen më të madhe të forcës së punës – si forca drejtuese. Deepa Somasundari, drejtuese në Indeed thotë: Studimi ynë tregon se tre e katërta e forcës së punës në Mbretërinë e Bashkuar, beson se mund ta bëjë punën e saj me të njëjtin standard në një javë pune me katër ditë, siç e bën të njëjtën gjë në pesë ditë. Ky mendim është më i theksuar ndër millennials (23 – 38 vjeç).

Rëndësia e ekuilibrit jetë profesionale – jetë personale dhe reduktimi i stresit është një ndër faktorët më të rëndësishëm në mbështetjen e një jave pune me katër ditë. Por ka edhe avantazhe të mëdha praktike dhe ekonomike, mbi të gjitha për prindërit, apo për njerëzit të cilët kujdesen për prindërit. “Një javë pune me katër ditë do t’i ndihmonte punonjësit të kujdeseshin për prindërit në moshë apo për fëmijët”, – thotë Somasundari.

A mund të bëhet realitet?

Anna Whitehouse, themeluese e blogut Mother Pukka and Flex Appeal, një fushatë për të bërë të mundur një punë fleksibël për të gjithë, çështja nuk është “nëse” një javë pune me katër ditë mund të sjellë avantazhe, të funksionojë, por “kur”.
“Është e thjeshtë, njerëzit mund të bëjnë më shumë në më pak kohë – thotë Whitehouse. – Disa e quajnë rregulli 100:80:100. Kjo do të thotë: 100% pagë, 80% kohë, me 100% output. Por, harrojini të gjitha shifrat, statistikat, – java e punës me 4 ditë funksionon. Juve ju thuhet: keni katër ditë për të përfunduar gjithçka që ju është ngarkuar dhe ju do të keni më shumë kohë për të takuar njerëzit e dashur, për të punuar në projekte personale, të bëni ushtrime fizike, ose thjesht, të jetoni pak më shumë”.

Megjithatë, për të gjithë entuziastët dhe studiuesit e një jave me katër ditë pune, ka ende disa pikëpyetje të mëdha se si do të zbatohej ajo dhe a do të funksiononte në të gjitha industritë. Në fillim të këtij viti, fondacioni me seli në Londër, “The Wellcome Trust”, mori në konsideratë të zbatonte për 800 punonjësit e saj reduktimin e javës së punës në katër ditë, duke mos e reduktuar pagën. Pas disa muajsh me konsultime, kjo gjë u vlerësua “komplekse nga pikëpamja operative për t’u vënë në zbatim”. Somasundari thotë se jo të gjitha kompanitë mund ta zbatojnë një javë pune me katër ditë.

“Studimi ynë gjeti se mbështetja për një javë pune me katër ditë ishte e madhe ndër punonjësit e zyrës, por e ulët në sektorin e ndërtimit dhe transportit – theksoi ajo. Role më pak fleksibël mund të vuajnë që të përshtaten me këtë gjë. Kjo mund të ngrejë pyetjen te disa kompani nëse është e drejtë që disa punonjës të punojnë katër ditë në javë dhe të tjerë jo”.

Kërkesa më e madhe për një punë më fleksibël mund të mos çojë drejt një jave pune me katër ditë, por është e qartë se mënyra jonë e të punuarit, jo gjithnjë funksionon. Nëse duam të jemi gjithnjë e më shumë produktivë janë të nevojshme ndryshime të rëndësishme…

Le t’i kthehemi pyetjes që bëmë në fillim. Sa orë thatë që punonit?

*Hannah Nathanson
Burimi: HARPER’S BAZAR