Aktualitet “Java më e ftohtë e vitit”, Instituti i Gjeoshkencave: Ngrica e temperatura...

“Java më e ftohtë e vitit”, Instituti i Gjeoshkencave: Ngrica e temperatura të ulëta në fundjavë

Shqipëria është përfshirë nga një ulje e ndjeshme e temperaturave ndërsa zonat malore janë mbuluar nga dëbora.

Anila Gjoni nga Instituti i Gjeoshkencave deklaroi se jemi në muajin më të ftohtë dhe në javën më të ftohtë të vitit.

“Jemi në muajin më të ftohtë dhe në javën më të ftohtë të vitit do thoja unë. Temperaturat do të vazhdojnë të jenë dhe më të ulëta këtë fundjavë dhe ne presim që dita e hënë të regjistrojë temperaturën më të ulët për këtë periudhë.

Temperaturat e uleta do të na shoqërojnë dhe në fillimin e javës tjetër deri në 10 shkurt. Javët e tjera do të jenë temperatura normale për shkurtin, jo kaq të ftohta sa këtë javë.

Për 5 ditët që vijnë nuk presim reshje dëbore në kryeqytet pastaj për javët e tjera mbetet për tu parë.

Dita e nesërme dhe pasnesër do shoqërohen me erë të fortë dhe temperatura të ulëta. E diela dhe e hëna do të ketë ngrica.

Të shtunën temperaturat do të arrijnë: në bregdet 7 C, në zonat e ulëta 4C, dhe zonat malore -1.

Të dielën, në bregdet shkon 2C, në vendet e ulëta 0C dhe në zonat malore -7C.

Problematikë do të jetë era e fortë gjatë fundjavës dhe ngricat në të gjithë vendin.

Për nesër presim të ketë reshje të dobëta, do të jenë në formën e dëborës në verilindje, veri, juglindje. Presim të zbresim deri në 400 m mbi nivelin e detit”, tha ajo.