Bota JD Vance: Nuk është Rusia apo Kina, kërcënimi më i madh ndaj...

JD Vance: Nuk është Rusia apo Kina, kërcënimi më i madh ndaj Europës vjen nga brenda

Nënpresidenti amerikan JD Vance tha sot se kërcënimi më i madh që i kanoset sot Europës është tërheqja nga disa prej vlerave të saj më themelore, që ndan me Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Komentet Vance i bëri gjatë fjalimit të tij në Konferencën e Sigurisë që mbahet në Mynih. Nënpresidenti amerikan u bëri gjithashtu thirrje udhëheqësve europianë që te rrisin në mënyrë të ndjeshme shpenzimet për mbrojtjen e kontinentit, teksa Amerika siç tha ai, përqendrohet në zonat e botës që janë në rrezik të madh.

Nënpresidenti amerikan JD Vance tha se kërcënimi më i madh që i kanoset sot Europës, ndryshe nga sa mendohet, nuk është i jashtëm.

“Kërcënimi që shqetësohem më shumë se i kanoset Europës nuk është Rusia, nuk është Kina, nuk është ndonjë aktor tjetër i jashtëm, ajo për të cilën shqetësohem është kërcënimi nga brenda, tërheqja e Europës nga disa prej vlerave të saj më themelore, vlerat e përbashkëta që ndan me Shtetet e Bashkuara të Amerikës”, tha ai.

JD Vance ka kritikuar Europën për shtypjen e fjalës së lirë, duke thënë se kjo liri është në rrezik.

Nënpresidenti Vance akuzoi administratën pararendëse se është përpjekur t’i mbyllë gojën njerëzve për të thënë atë që mendonin.

Ai shtoi se Shtëpia e Bardhë nën drejtim e Presidentit Trump do të bëjë të kundërtën, duke lënë pajtimet dhe mospajtimet, të bëhen publike. Zoti Vance ripërsëriti thirrjen e Uashingtonit që Europa të bëjë më shumë për të siguruar mbrojtjen e saj.

“Kjo është një konferencë sigurie dhe jam i sigurt që të gjithë keni ardhur këtu të përgatitur për të folur rreth mënyrës se si synoni konkretisht të rrisni shpenzimet për mbrojtjen gjatë viteve të ardhshme në përputhje me një objektiv të ri. Dhe kjo është fantastike sepse siç e ka bërë shumë të qartë Presidenti Trump, ai beson se miqtë tanë europianë duhet të luajnë një rol më të madh në të ardhmen e këtij kontinenti. Keni dëgjuar termin ndarje të barrës. Ne mendojmë se është një pjesë e rëndësishme e të qenit në një aleancë të përbashkët, pra qe evropianët të rrisin sigurinë ndërsa Amerika përqëndrohet në zona të botës që janë në rrezik të madh”.

Sekretari i Përgjithshëm i Natos Rutte tha se Nënpresidenti amerikan Vance ka “absolutisht të drejtë” kur flet mbi nevojën që Europa të bëjë më shumë për mbrojtjen e saj. Komentet zoti Rute i bëri gjatë një takimi dy palësh me zotin Vance.

“Është diçka që duhet bërë. Ne duhet të shpenzojmë shumë më tepër. Por duhet të diskutojmë gjithashtu edhe mbi ritmin e prodhimin në industrinë e mbrojtjes. Sigurisht që ky është një problem që e hasim si në Shtetet e Bashkuara ashtu edhe në pjesën tjetër të NATO-s. Ne thjesht nuk po prodhojmë mjaftueshëm. Ne nuk po ecim me të njëjtin hap si rusët apo kinezët”, tha Rutte.

Ukraina dhe perspektiva për bisedimet e paqes, ishin në vëmendjen kryesorë të takimit të nivelit te lartë.

Nënpresidenti JD Vance tha se Uashingtoni do të përdorte mjetet ekonomike dhe ushtarake në bisedimet me Rusinë për të siguruar një marrëveshje të mirë paqeje mbi Ukrainën. Komentet zoti Vance, i cili do të takohet me Presidentin ukrainas Volodymyr Zelensky më vonë gjatë ditë së sotme, i bëri gjatë një intervistë për gazetën ‘Wall Street Journal’ para mbërritje së tij në Mynih. Por zëdhënësi i tij William Martin sqaroi më vonë se komentet e zotit Vance nuk ishin ndonjë kërcënim ndaj Moskës. Martin tha se nenpresidenti thjesht bëri të qartë faktin se askush nuk do t’i heqë nga dora Presidentit Trump opsionet që ka, ndërsa nisin negociatat për paqe mes Kievit dhe Moskës.