Sport “Je thjesht pasagjer…”, babai i Griezmann sulmon trajnerin Setién

“Je thjesht pasagjer…”, babai i Griezmann sulmon trajnerin Setién

Antoine Griezmann po kalon një situatë të vështirë dhe të papritur te Barcelona. Quique Setién e ka lënë atë në pankinë në tri nga katër ndeshjet e fundit. Ndërsa të martën në darkë e injoroi keq fare, duke e aktivizuar në minutën e 90-të të sfidës kundër Atletico Madrid, vetëm dy minutat e kohës shtesë.

Familja e sulmuesit francez, për të cilin Barcelona pagoi 120 milionë euro më pak se një vit më parë, ka shfrytëzuar rrjetet sociale për të shpërthyer kundër trajnerit “cantabrian”. Fillimisht ishte vëllai, ai që shkroi në Twitter: “2 minuta… Seriozisht, dua të qaj”. Më pas e fshiu postimin në fjalë.

Të njëjtën linjë ka mbajtur edhe babai i sulmuesit francez, i cili i është përgjigjur Setién, që pas ndeshjes tha se do të fliste me Antoine, por nuk do t’i kërkonte falje. Përmes një mesazhi në Instagram, të cilin e ka fshirë më vonë, ai ka nisur një “shigjetë plot helm” drejt trajnerit të Barcelonës: “Për të folur duhet të kesh çelësat e kamionit, ndaj nuk është rasti yt, sepse je thjesht pasagjer”. Mesa duket, babai i francezit ka kritikuar mungesën e fuqisë së trajnerit në dhomën e zhveshjes së ekipit katalanas.