Extra Jennifer Lopez dhe Shakira “i vënë flakën” Majemit (FOTO)

Jennifer Lopez dhe Shakira “i vënë flakën” Majemit (FOTO)

Edicioni i 54-t i SuperBowl na dhuroi një nga spektaklet e pushimit të ndeshjes më të bukura në histori.

Majemi u mbush me gjak latin. Jennifer Lopez dhe Shakira ishin ngarkuar me detyrën për të ngritur në këmbë publikun e finales së madhe të futbollit amerikan, por edhe telespektatorët në të gjithë botën.

Dritat e “Hard Rock Stadium” u fikën për pak sekonda, përpara se të fokusoheshin të gjitha te Shakira, e cila u shfaq me një kostum të kuq dhe nisi të këndonte këngën “She Wolf”.

Këngëtarja kolumbiane vijoi me një miks hitesh të tjera të saj, që e mbylli me “Hips Don’t Lie”.

Më pas, skena ishte e gjitha për divën Jennifer Lopez, e cila interpretoi “Jenny from the block”, “On the Floor” dhe “Waiting for the night”. I ftuar i JLo ishte edhe J Balvin.

Pasi interpretuan veç e veç, dy yjet latine u bashkuan në fund duke e mbyllur spektaklin e pushimit të ndeshjes me këngën “Waka Waka”, himni i Botërorit të futbollit të vitit 2010.