Extra Jennifer Lopez mund të fitojë një çmim Oscar me rolin e saj...

Jennifer Lopez mund të fitojë një çmim Oscar me rolin e saj të fundit

Filmi “Hustlers” që më siguri çdo femër po e pret, del sot nëpër kinema dhe në rrjete sociale po bëhet nami. Ajo çka i jep edhe më shumë dritë është kasti i aktoreve femra me në krye Jennifer Lopez.

Ajo është padyshim një yll, por akoma nuk ka marrë një çmim Grammy – ja sa e nënvlerësuar është ajo nga komuniteti i çmimeve. Ajo është nominuar dy herë në kategorinë e kërcimit, njëherë në vitin 2000 me këngën “Waiting for Tonight” dhe njëherë në vitin 2001 me këngën “Let’s Get Loud”, por kjo është e gjitha. Një këngë si “Jenny From the Block” mund të kthente përmbys kulturën e pop-it apo kënga “If You Had My Love” që do jetë përgjithmonë një himn për të gjitha gjimnazistet që u ndanë nga i dashuri në vitin 1999. Por një yll me famë globale, një kërcënim i trefishtë si Jennifer Lopez akoma mund të jetë e panjohur për jurinë e çmimeve. Deri tani, kur në moshën 50 vjeçare, ka fjalë se ajo mund të nominohet për herë të parë për një çmim Oscar pas rolit të saj në filmin “Hustlers”.

“Ajo duhet të jetë një konkurrente e fortë për çmimin Oscar dhe nëse studioja është e zgjuar duhet ta mbështesë”, tha ‘Daily Beast’ për rolin e Lopez si një kërcimtare ekzotike e cila vidhte nga klientët e saj të Wall Street. Pas shumë komedive romantike si “Second Act”, “Maid in Manhattan” apo “Gigli” dhe gjithashtu roli i saj në filmin “Selena” ku portretizoi këngëtaren e famshme latine, ‘Hollywood Reporter’ vuri re se emri i Lopez po pëshpëritej për disa çmime në Festivalin e Filmit në Toronto ku u mbajt dhe premiera e “Hustlers” gjatë fundjavës : “Një aktore me shumë aftësi e cila ka qënë këtej rrotull për disa kohë tani…ajo dha zemrën dhe shpirtin e saj në këtë projekt”. Gazetari Hunter Harris thjesht deklaroi në Twitter “J.Lo do nominohet për një Oscar”.

Gjithë këto fjalë për këto çmime të mëdha e kanë bërë Jennifer Lopez tepër të emocionuar. Ajo u shpreh në një intervistë me Hoda Kotb: “Unë thjesht kam punuar fort për shumë gjatë, gjatë gjithë jetës. Është diçka e bukur”, tha ajo teksa po lotonte. “Unë isha e ulur në krevat dje dhe po më dërgonin të gjitha komentet. Unë nuk mund ta besoja. Isha duke qarë, unë dhe shoqja ime prej 20 vitesh ishim ulur aty dhe ajo po mundohej të më filmonte. Thjesht po mendoja “Oh Zoti im”. Ti punon fort gjatë gjithë jetës tënde dhe pyet veten nëse dikush po e vë re apo dikush po të bën pjesë të një bisede. Ti ke ëndrra kur je një vajzë e vogël që një ditë të marrësh një Oscar”.