Aktualitet Jeta e një infermieri shqiptar në frontin e parë të luftës, vështirësitë...

Jeta e një infermieri shqiptar në frontin e parë të luftës, vështirësitë dhe sakrificat

S’mund të përqafojë të birin 3-vjeçar, infermieri rrëfen sfidat përballë COVID-19: Pacientët kërkojnë të afërmit, situata është e zymtë

Sapo përshëndeti për së largu djalin e tij 3-vjeçar dhe po bëhet gati për në punë. Që prej marsit, dorezat dhe maskat janë bërë të domosdoshme në punën e tij.

Saimir Hita, prej 9 vitesh punon si infermier në Spitalin Infektiv, por muajt e fundit puna e tij dhe kolegëve të tij është vështirësuar pa masë.

“Kemi frikë, kam ankth para se të shkoj në punë”, thotë ai

Gjithmonë, para se të ikë në punë, prindërit, të cilët nuk e kanë përqafuar prej një muaji, e përcjellin me përshëndetje.

Duke e shoqëruar për në punë, Saimiri na tregon dhe panoramën me të cilën ai përballet  çdo ditë në spitalin infektiv.

“Situata është e zymtë, sidomos turni i tretë ka momente kur është gri gjatë gjithë kohës”, thotë ai.

Saimiri tregon se ngarkesa më e madhe është ajo emocionale, pasi duhet të përballën me gjendjen e rënduar të pacientëve.

“Pacientët kërkojnë familjarët e tyre, sepse edhe presioni psikologjik është shumë i madh, janë shumë të ngarkuar. Ne mundohemi të jemi sa më afër duke thënë një fjalë të mirë, duke iu dhënë sa më shumë shpresë, por duke bërë edhe detyrën, pjesën profesionale”, rrëfen Saimiri.

Pjesa më e vështirë për të është fakti që nuk mund të ketë kontakt fizik me të birin 3-vjeçar, të cilit nuk i shpjegon dot arsyen e këtij distancomi.

“Duke qenë se është i vogël, nuk jam përpjekur ndonjëherë t’ia shpjegoj. T’i shpjegosh virus vdekjeprurës një fëmije, atij i duke gallatë. Duke i qëndruar në distancë i them; rri larg, ti je i miri unë jam i keqi”, – tregon ai.

Udhëtimit jonë me Saimirin mbyllet në dyert e Spitalit Infektiv, aty ku çdo ditë nis misioni i tij më i madh, misioni për jetën!/EuronewsAlbania