Kulturë Jeta e pazakontë e një artisteje me shumë talente si Hueyda El...

Jeta e pazakontë e një artisteje me shumë talente si Hueyda El Saied

Vdekja e papritur e Hueyda El Sayed ka lënë një shije të hidhur në publikun shqiptar, jo vetëm për moshën e saj të re, por edhe për dashurinë që publiku kishte për balerinën dhe moderatoren e disa prej programeve më të ndjekura të televizionit shqiptar, duke filluar nga vitet ’90.

Karriera profesionale, nga baleti në televizion, nga piktura te teatri, nga gazetaria te të drejtat e njeriut, si edhe jeta personale, nga tradhtia te dashuria, kanë qenë jo fort të zakonshme dhe si e tillë, figura e saj mbetet një nga figurat më të dashura të ekranit shqiptar.

Me origjinë të cilën e ka përshkruar si “treçerek nga Sudani”, Hueyda lindi në Tiranë dhe u rrit nga e ëma pa praninë e të atit. Pas moshës 3-vjeçare, ajo ka rrëfyer se për shkak të sistemit komunist, të atin e takoi sërish pas 16 vitesh. ”Mamaja ime ka dhënë gjak për të më ushqyer mua”, u shpreh ajo në vitin 2017 në “Wake Up”.

Pavarësisht vështirësive ekonomike, Hueyda e gjeti rrugën për të ndjekur ëndrrën e saj, e cila në adoleshencë ishte baleti. Figura e saj u bë e njohur për publikun pasi u shpall fituese e konkursit të kërcimit “12 vallëzime pa një të shtunë”.

Pas spektaklit, u bë pjesë e televizionit si moderatore, si për shembull “Venus Talk Show” dhe herë pas here u shfaq në programe televizive si “Një këngë për ty”.

Pasi u largua nga Shqipëria në vitin 1994, Hueyda u vendos në Francë dhe vazhdoi karrierën në kërcim, si balerinë dhe koreografe në kanalet televizive France 2, TF1 dhe M6. Në atë periudhë, baleti ishte fusha ku u përqendrua dhe u bë pjesë e shfaqjeve të ndryshme televizive për këngëtarë dhe grupe si Lara Fabian, Moos, Donna Summer, Nigel & Marvin dhe interpretoi në videoklipet e Alizée,  Florent Pagny, Fezaa, Etienne Daho etj.

Përveç baletit, Hueyda lëvroi edhe fusha si letërsia me botimin e romaneve të saj “Ngjyra e lëkurës sime” dhe “Maska e zemrës”; teatri dhe filmi ku luajti në dramën “Duke pritur Godonë” në Teatrin Kombëtar të Kosovës apo rolet artistike në “The Dancer” dhe “Femme de loi”; modeling në fushata televizive në Francë, Belgjikë, Portugali etj; gazetari përmes shkrimit të artikujve të ndryshëm; dhe drejtësi dhe ligj, fushë në të cilën u diplomua shkëlqyeshëm me diplomë Master në “Bashkëpunim Ndërkombëtar, të Drejtat e Njeriut dhe Politika Europiane” në Itali.

Përpos këtyre fushave, Hueyda njihej më së shumti për pikturat në të cilat përziente materiale të ndryshme të frymëzuara nga kozmosi dhe galaktika. Disa prej tyre ishin pjesë e koleksioneve private të adhuruesve të pikturës nëpër botë.

Përmes një çiltërsie që e karakterizonte vazhdimisht, Hueyda nuk ngurroi të fliste publikisht për tema private dhe delikate. Në 2017-n, ajo rrëfeu për “Top Show Magazine” se bashkëjetesa 5-vjeçare kishte fund për shkak të tradhtisë.

“Si mund të ndihet një njeri që tradhtohet? Dy javët e para qava. Pastaj thashë unë duhet të mbledh veten, nuk jam as e para as e fundit. Jeta vazhdon. Dashuria mbaron. Ai më ka dhënë dhuratën më të bukur, Gabriel-in”, tha ajo asokohe.

Megjithatë, artistja e gjeti sërish rrugën për te dashuria. Në fund të vitit të kaluar, u martua në një dasmë sekrete me partnerin Thierry Grosjean, i cili birësoi edhe djalin e saj nga marrëdhënia e mëparshme.

“Më në fund, kam familjen që kam ëndërruar. Thierry me shaka thotë që na ka zgjedhur Gabrielin dhe mua në katalog, por Gabrieli dhe unë themi të njëjtën gjë për të, ndaj falenderojmë Zotin që bëri që Thierry të ‘hapte’ faqen ku ishte fotografia jonë dhe nuk u tremb teksa pa që po lotonim. Përfundimisht jeta ka më shumë imagjinatë se ne dhe është e bukur, shumë e bukur madje.”

El Saied u nda nga jeta në moshën 46-vjeçare. Ndonëse nuk foli kurrë për sëmundjen, ajo vuante nga kanceri i gjirit në një fazë të zhvilluar.

El Saied do të kujtohet si një nga portretet më të ëmbla të ekranit shqiptar, si vajza e shumë talenteve, e cila përcillte gjithmonë pozitivitet në çdo intervistë të saj.