Kryesore “Jo më kushërinj e krushq në administratë, studentët ekselentë punësohen të parët”

“Jo më kushërinj e krushq në administratë, studentët ekselentë punësohen të parët”

Të gjithë ata studentë që janë ekselentë, të cilët kanë përfunduar studimet apo janë duke ndjekur aktualisht studimet, do të punësohen në administratën publike dhe në shërbimin civil, duke ju lënë atyre të drejtën për të zgjedhur se në cilin sektor të punësohen.

Kështu deklaroi sot kryeministri Edi Rama, gjatë Asamblesë Kombëtare të Partisë Socialiste duke theksuar se qeveria e mori këtë vendim pas protestës së studentëve.

“Më vjen shumë mirë, dhe kjo është një nga gjërat më të mira, më të mirëseardhura të protestës së studentëve që na u dha mundësia, që me një vendim qeverie të hapim të gjitha vendet e punës në dispozicion, qoftë në shërbimin civil, qoftë në administratën shtetërore për ata me 9 e 10. Për ata me 9 e 10 që kanë mbaruar më parë e janë rrugëve, për ata që janë në Shqipëri e për ata që janë jashtë dhe ata me 9 e 10 që janë duke përfunduar studimet”, tha kryeministri.

Kryeministri Rama u tërhoqi vëmendjen anëtarëve të Asamblesë kombëtare që të jenë më të vëmendshëm nga tani e tutje për sa i përket punësimit në administratë.

“Kështu që harrojeni përfundimisht që do ketë më miq, shok krushq, vëllezër, motra baballarë, xhaxhallarë, kunata, teze, që do futen në administratën shtetërore. Harrojeni. Partia Socialiste nuk mund të kthehet në opozitë për shkak të krushqve, të tezeve, motrave xhaxhallarëve, grave kunatave, harrojeni. Ose bëni një xhest të thjeshtë ikni nga Partia Socialiste dhe pastaj merruni të rregulloni në punë gjithë farefisin, ikni.  Lëreni forumin lëreni karrigen, lëreni mandatin e pastaj thoni me rregullo familjen. Po nëse keni marrë mandate përfaqësimi, mandatin e përfaqësimit e keni për të gjitha familjet, e keni për të gjithë fëmijët, e keni për të gjithë ata që kur shkojmë i takojmë u themi “vota jote është detyrimi im”.