Extra Jo vetëm dhunë në derbi; ja si tifozi i Partizanit i propozoi...

Jo vetëm dhunë në derbi; ja si tifozi i Partizanit i propozoi për martesë gazetares (Video)

Derbi i kryeqytetit pati dhunë, ofendime në kor dhe përmes banderolave, por në fund u mbyll me fitues Partizanin. Tirana ka prej pesë vitesh që nuk fiton në përplasjet direkte me të kuqtë. Një rekord tejet negativ, që është kthyer në makth të vërtetë te 24 herë kampionët e vendit. Sidoqoftë, supersfida e së dielës në “Selman Stermasi” pati edhe anët e vet të bukura, madje mund t’i konsideronim “ekzotike”, me personazhe gazetaren e Supersport, Gea Braho, dhe një tifoz “guerrils”.

Ish-moderatorja e “Bar Skedina”, ish-velinë e emisionit “Fiks Fare”, ishte duke raportuar direkt nga derbi, kur ka marrë propozim “live” për martesë nga përtej rrethimit të fushës së blertë. Agron Merepeza, një tifoz njohur i kuq, shihet që i thirr me të madhe gazetares, ulet në gjunjë dhe në kutinë që mbart në dorë ka unazën. Pasi e thirr disa herë, Gea kthen kokën, e shikon, por nuk reagon, pasi përballë kishte kamerën dhe do të raportonte “live”.

Ka munguar përgjigjja pozitive e saj, çka e ka lënë të “hidhëruar” adhuruesin e kuq, që ka gjetur ngushëllim te triumfi i skuadrës së zemrën ndaj Tiranës. Tifozët e tjerë, që e kanë përcjellë këtë moment, nuk ngurrojnë të tallen me kolegun e tyre. Në video dëgjohet njëri, që thotë: “O Goni, hë me, të refuzoi?” Gjithçka të tillë e ka konfirmuar edhe vetë Gea Braha, e cila përmes rrjeteve sociale ka publikuar videon, të shoqëruar me mesazhin përkatës: “Mora një propozim për martesë në stadium, por më kapën pak pa mendje gjatë punës”.