Sport Jo vetëm në Francë-Shqipëri, të gjitha skandalet me himnet kombëtare  

Jo vetëm në Francë-Shqipëri, të gjitha skandalet me himnet kombëtare  

“Stade de France” prodhoi një skandal gati diplomatik, kur gabimisht intonoi himnin e Andorrës të shtunën, në vend të atij shqiptar, para ndeshjes kualifikuese të Grupit H të “Euro 2020”. Kuqezinjtë, me të drejtë nuk pranuar të vazhdojnë lojën, pa u rregulluar kjo gafë, që bëri të kërkonte falje vetë presidenti i Francës, Macron. Megjithatë, ky nuk ishte rasti i parë, që ndodhte diçka e tillë. Më poshtë disa më të bujshmet.

6- Angli, 2007

Çfarë ndryshimi bën një shkronjë? Himni i Kombëtares Kroate përfshin edhe frazën “Mila kuda si planina”  që do të thotë ” ne i duam malet e tua o e bukur.” Por në një ndeshje kualifikuese për Kampionatin Europian të vitit 2008 midis ekipeve të futbollit të Kroacisë dhe Anglisë në nëntor 2007, këngëtari britanik Toni Henry këndoi, “Mila kura si planina”: që në thelb do të thoshte: “E dashur, penisi im është sa një mal”. Kroacia e fitoi atë ndeshje me rezultatin 2-3, duke shkuar në Europian dhe lënë jashtë Anglinë.

5- Muzika e filmit “Borat” dhe jo himni i Kazakistanit

Le të fillojmë me pak dritë… Në vitin 2012, në dhënien e medaljes së artë për Maria Dmitrienko në Kampionatin Botëror të Harkut, në Kuvajt, himni kazak zëvendësohet me muzikën e filmit “Borat”. Ky skandal irritoi pa masë Kazakistanin me autoritetet e vendit organizator të turneut.

4- Liu Xiang dhe himni i Kilit

Në vitin 2008, Liu Xiang fitoi medaljen e artë të 60 metrave me pengesa në Kampionatin Botëror të Atletikës, zhvilluar në Valencia. Ceremonia e dhënies së medaljes zhvillohet dy herë, brenda 24 orësh. Arsyeja? Herën e parë, himni kilian u intonua në vend të atij kinez…

3- Contador dhe himni danez

Fituesi i “Tour de France” në vitin 2009, Alberto Contador, u zhgënjye paksa në podium. Spanjolli duhej të përballej me himnin danez, kur do të merrte medaljen. Organizatorët e kapën shpejt këtë gafë, duke ndërhyrë dhe vendosur “La Marche Royale”, himnin spanjoll.

2- Himni i aparteidit në vend të himnit të Afrikës së Jugut

Ka momente që të bëjnë të qeshësh me lot, por ka të tjera me të vërtetë të pakëndshme. Ky ishte rasti në vitin 2012, përpara turneut para-olimpik të hokejit, në përballjen mes Afrikës së Jugut dhe Britanisë së Madhe. Aty, himni zyrtar i Afrikës së Jugut u zëvendësua nga ai i aparteidit.

1= Versioni nazist i himnit gjerman u luajt në SHBA

“Ishte një turp total, një hidhërim. Ishte gjëja më e keqe që kam përjetuar ndonjëherë”. Kështu pati thënë Andrea Petkovic, tenisti gjerman, që e përjetoi këtë incident të keq në “Fed Cup”, SHBA. Pas sfidës mes Alison Riske dhe Andrea Petkovic, një solist kishte interpretuar versionin nazist të himnit gjerman, të ndaluar që nga viti 1945”. Ishte viti 2017, ndaj duket e pakonceptueshme që diçka e tillë mund të ndodhte në SHBA.

Incidente të tjera në futboll

Para një ndeshjeje mes Sllovakisë dhe Maltës, himni maltez u zëvendësua nga “Encore” e grupit muzikor “Linkin Park”. Po ashtu, himni kilian u transmetua në “Copa America” në vitin 2016, para ndeshjes Uruguaj-Meksikë, ndërsa El Salvador iu intonua himni kazak kundër Argjentinës, një vit më parë.