Bota Jo vetëm në Shqipëri, nga Spanja në SHBA, protesta në vende të...

Jo vetëm në Shqipëri, nga Spanja në SHBA, protesta në vende të ndryshme të botës, arsyet dhe qëllimi

Në vende të ndryshme të botës protestat zgjasin me javë, edhe pse në shumë raste emëruesi i përbashkët është pakënaqësia ndaj qeverive dhe mënyrës së drejtimit të vendit.

Arsyet që mbledhin me mijëra njerëz në sheshe janë nga më të ndryshmet.

Por a e arrijnë qëllimin e tyre këto protesta?

SERBI

Në Serbi vijon të jetë i lartë niveli i protestave anti-korrupsion kundër Presidentit të vendit Aleksandër Vuçiç. Me mijëra persona u mblodhën në Beograd në javën e disatë të manifestimeve anti-qeveritare

Sipas të dhënave të organizatorëve, pjesëmarrësit kanë qenë 25 mijë. Vuçiç, nacionalisti i parë i transformuar në pro europian, akuzohet se ka instaluar një sistem autokrat dhe se praktikon një kontroll total të mediave në vend.

Manifestuesit e konsiderojnë si një dhunë dhe diktaturë të qeverisë atë që po ndodh, pasi sipas tyre nuk ka as liri as për mediat dhe as për gazetarët.

Shumë prej tyre kishin në duar bilbila, një objekt i kthyer në një simbol që nga protestat në kohën e Millosheviçit në vitet ’90. Janë regjistruar dhe përplasje me policinë dhe lëvizja aleanca për Serbinë, akuzoi aktivistët pro presidentit se kanë provokuar turmën. Protestat shpërthyen pas një sulmi të dhunshëm ndaj një politikani në opozitë në nëntor të vitit të kaluar. Vuçiç shprehet se është i gatshëm të dëgjojë popullin, por jo gënjeshtrat e opozitës. Nga ana tjetër Bashkimi Europian i ka bërë apel kreut të shtetit serb që të përmirësojë situatën në vend sidomos për sa i përket lirisë së medias.

Prej më shumë se një muaji çdo javë vendi përfshihet nga protestat. Por pyetja është nëse opozita do vazhdojë të ushtrojë këtë presion e mbi të gjitha nëse qeveria dhe presidenti Vuçiç do të dëgjojnë vërtet kërkesat e protestuesve të cilët kërkojnë ndryshim.

GREQI

Protesta më e fundit në Greqi ishte ajo kundër marrëveshjes mes Shkupit dhe Athinës për çështjen e emrit.

Qendra e kryeqytetit helen u kthye në një det njerëzish, një pjesë e të cilëve mbërritën nga i gjithë vendi për të protestuar kundër marrëveshjes. Shumë qytetarë grekë besojnë se emri “Maqedoni” hap rrugë për pretendime territoriale ndaj vendit të tyre, konkretisht ndaj një rajoni të Greqisë që mban të njëjtin emër. Marrëveshja, e nënshkruar nga dy qeveritë, zhbllokoi rrugën e anëtarësimit në BE dhe NATO të ish-republikës jugosllave. Ajo u ratifikua nga parlamenti grek, pas ratifikimit nga ai maqedonas.

Organizatorët e protestës thanë se ajo ishte më e madhja në dekada, më e madhe madje se protestat kundër masave anti-krizë. Çështja e emrit të fqinjit verior ngjall ndjenja të forta mes grekëve, që e konsiderojnë Maqedoninë, mbretërinë e lashtë të udhëhequr nga Aleksandri i Madh, pjesë integrale të territorit të tyre.

FRANCË

Jelekët e verdhë protestojnë në Francë, cdo të shtunë që nga 17 nëntori i vitit të kaluar. Pavarësisht debatit kombëtar të nisur nga presidenti francez Emanuel Makron, manifestime janë organizuar në qytete të ndryshme të vendit.

Pjesa më e madhe e protestuesve në Paris përqendrohet në Champs-Élysées dhe në sheshin e Republikës. Një grup gazetarësh bënë apel për të mos ushtruar dhunë ndaj medias ndërsa biznesmenët denoncojnë se kanë pësuar humbje shumë të mëdha për shkak se janë të detyruar të mbyllin aktivitetet për arsye sigurie.

Janë 80 mijë agjentët e vendosur në gatishmëri, nga të cilët pesë mijë vetëm në Paris. Ministri i brendshëm Kastane i konsideroi qesharake akuzat se policia ka ushtruar dhunë. Sipas të përditshmes Liberation, janë të paktën 100 manifestuesit e plagosur që nga fillimi i protestave.

HUNGARI

Hungarezët protestojnë kundër miratimit të dy ligjeve shumë kontroverse dhe kundër qeverisë së kryeministrit nacionalist dhe populist Viktor Orbán. Sipas analistëve kjo konsiderohet si një protestë e paprecedentë pasi në të morën pjesë përveç opozitës, dhe qytetarë e grupe studentësh.

Rreth 15 mijë persona mbanin në duar flamurin e Hungarisë dhe të Bashkimit Europian duke i kërkuar qeverisë që të mos vjedhë dhe gjykatave që të jenë të pavarura.

Një nga arsyet e kësaj proteste ishte modifikimi më i fundit i kodit të punës, të cilët kritikët e konsiderojnë si ligjin për skllavërinë. Reforma shton orët e punës jashtë orarit që punëdhënësit mund të kërkojnë, trefishon afatin maksimal të pagesës së tyre, dhe mundëson që negociatat të bëhen mes sipërmarrjeve dhe të punësuarëve pa praninë e sindikatave.

Por manifestuesit kundërshtojnë dhe krijimin e një sistemi paralel gjykatash administrative që do të varet në mënyrë të drejtpërdrejt nga ministria e drejtësisë dhe do të merret me çështje dekilate si ligji elektoral, korrupsion dhe të drejtën për të manifestuar. Ata kërkuan dhe pavarësinë dhe objektivitetin e mediave publike.

Pas përfundimit të protestave disa mijëra persona të drejtuar nga disa anëtarë të opozitës bllokuan disa rrugë të qytetit dhe hynë në selinë e televizionit shtetëror për të lexuar një deklaratë. Por kërkesa e tyre u refuzua dhe u shënuan përplasje me policinë.

Aleatët e kryeministrit Orban pretendojnë se protestat janë organizuar nga lëvizje dhe shoqata që financohen nga Xhorxh Soros, miliarderi me origjinë hungareze ndaj të cilit Orban është shumë kritik. Madje sipas tyre mbështetësit e Soros i urrejnë me shpirt të krishterët.

RUMANI

Rumunët protestojnë kundër korrupsionit, me 50 mijë persona të mbledhur në sheshin kryesor të Bukureshtit. Mes tyre kishte moshuar, familje me fëmijë dhe persona në karrocë për invalidë. Por dhuna e shumë provokuesve nuk kurseu as gazetarët e huaj. Protesta u organizua nëpërmjet rrjetit social Facebook nga rumunët e rikthyer në vend për të protestuar kundër korrupsionit. Nën akuzë janë dhe policia dhe qeveria e liderit socialdemokrat Liviu Dragnea, i dënuar disa herë, duke e pasur të pamundur të jetë kryeministër dhe duke i lënë vendin vetëm në mënyrë figurative aleates së tij Viorika Dansila.

Mediat rumune trajtuan gjerësisht faktin se policia ishte treguar shumë e dhunshme, një gjë e vërtetuar dhe nga shumë filmime të transmetuara nga mediat e huaha. Madje dhe presidenti i vendit Klaus Johanis reagoi duke e cilësuar si brutal ndërhyrjen e agjentëve të policisë ndaj protestuesve. Policia nga ana e saj është mbrojtur ndërsa partia socialdemokrate në pushtet I ka kërkuar presidentit dhe opozitës që t’i kërkojnë falje në gjunjë rumunëve pasi me deklaratat e tyre kanë inkurajuar ata që synonin t’i vinin zjarrin Bukureshtit.

Por manifestuesit nga ana e tyre këmbëngulin duke thënë se partitë në pushtet kanë dëshmuar se legjitimiteti i tyre imponohet me ushtrimin e dhunës ndaj qytetarëve. Duke harruar se pushteti është vetë populli.

 

Manifestuesit pjesa më e madhe rumunë të Diasporës, protestojnë për krizën ekonomike dhe korrupsionin në qeveri. Ata kërkojnë dorëheqjen e qeverisë.

SPANJË

Në Katalonjë protestuesit bllokuan autostradat për të kundërshtuar procesin gjyqësor në gjykatën e lartë të Madridit, ndaj ish zv/presidentit katalanas Oriol Junkueras dhe 11 liderëve të tjerë separatistë, të cilët akuzohen për rebelim dhe mosbindje për rolin e tyre në referendumin për pavarësi në 2017-ën. Autoritetet mbyllën disa rrugë kryesore në Barcelonë ndërsa séance e gjyqit transmetohej drejt për së drejti në television

Por dhe në Madrid manifestohej ndërkohë.

Mijëra persona protestuan kundër kryeministrit socialist Pedro Sánchez dhe vendimit të tij për të emëruar një ndërmjetësues mes qeverisë së tij dhe asaj katalanase. Me parulla si: “Për një Spanjë  të Bashkuar, zgjedhje tani”, protestuesit kërkuan dorëheqjen e qeverisë së Sánchez dhe zgjedhje të parakohshme. Në protesta mori pjesë ish kryeministri francez njëkohësisht kandidati aktual për bashkinë e Barcelonës, Manuel Vals. Në Tuiter, ish kryeministri shpjegoi se dëshironte të ishte në Madrid për të mbrojtur kushtetutën dhe bashkimin e Spanjës. Ai shtoi se pa asnjë dilemë apo komplekse ky ishte një moment historik për vendin. Protestuesit kundërshtojnë atë që e cilësojnë si një tradhti të lartë të Sánchez, i cili pranoi emërimin e një ndërmjetësuesi për negociatat mes partive për krizën katalanase. Ata që mbështesin pavarësinë e Katalonjës prej shumë kohësh kërkonin një ndërmjetësin ndërkombëtar që do të vendoste Katalonjën në të njëjtin plan si Spanja në nivel formal.

Kryeministri socialist reagoi duke thënë se qeveria spanjolle punon për bashkimin e Spanjës dhe ajo që ai bën në krye të qeverisë, respekton kushtetutën dhe korrigjon një krizë shteti. Sanchez akuzon opozitën se prezanton vendin vetëm bardhë e zi

Por ndërkohë ai i është dorëzuar kërkesave të protestuesve duke shpallur zgjedhje të jashtëzakonshme në 28 prill.

VENEZUELË

Dhjetëra mijëra persona organizuan protestën më të madhe kundër qeverisë venezueliane të Nikolás Maduro, në një kohë që kryetari i parlamentit të vendit Huan Guaido u vetëshpall president duke kërkuar zgjedhje të menjëhershme të jashtëzakonshme. Ky i fundit duke marrë mbështetjen e disa vendeve europiane që e njohën si president të ligjshëm të vendit, ka premtuar se shumë gjëra do të ndryshojnë këto ditë nëse manifestuesit do të rezistojnë në synimin e tyre për të larguar Maduron nga pushteti. Sipas raportimeve të mediave ndërkombëtare situate humanitare dhe ekonomike në vend është përkeqësuar ndjeshëm javët e fundit.

Dhe nga radhët e ushtrisë janë të shumtë ata që kanë nisur të braktisin Maduron në mbështetje të Guaido, një element shumë i rëndësishëm aq sa lideri i opozitës venezueliane ka organizuar disa takime klandestine me gjeneralët duke premtuar amnisti për ushtarët. Por deri tani ushtria vazhdon të ndjekë Maduron.

Sipas mediave momenti më i rëndësishëm për të kuptuar se nga cila anë janë ushtarët do të jetë ai i hyrjes së ndihmave humanitare në vend, nëse ushtria do e lejojë atëherë do të thotë se Guaido ka dhe mbështetjen ushtarake nga ana e tij.

Por Maduro vazhdon të kritikojë ashpër vendet që kanë njohur liderin e opozitës si president, duke i akuzuar për ndërhyrje dhe planifikim të grushtit të shtetit. Maduro kërkoi takim me opozitën por kjo e fundit refuzoi duke thënë se është vetëm një përpjekje për të fituar kohë. Maduro kërkon të organizojë zgjedhje parlamentare për të rinovuar asamblenë e cila aktualisht kontrollohet nga opozita. Ndërsa Guaido kërkon zgjedhje presidenciale për të ndryshuar qeverinë.

ITALI

Nuk pushojnë manifestimet e fermerëve në Sardenjë të Italisë të cilët vijojnë të bllokojnë rrugët kryesore duke shkaktuar probleme në trafikun e automjeteve. Fermerët kanë derdhur me litra të tëra qumësht në rrugë në shenjë proteste pavarësisht apelit të autoriteteve që qumështi të mos shpërdorohet por t’u shpërndahet familjeje në nevojë.

Fermerët nuk janë dakord me çmimin e qumështit të caktuar 60 cent për litër, duke pretenduar se duhet të jetë të paktën 1 euro për litër. Së bashku me familjarët e tyre ata prej ditësh bllokojnë rrugët kryesore ndërsa 3 mijë persona  u mblodhën në sheshin Italia, ku morën pjesë dhe student e minatorë të cilët mbanin parulla: Jemi të gjithë fëmijë të fermerëve”.

Ndërkohë jelekët portokalli janë mbledhur dhe Romë duke protestuar për aktualizimin e munguar të planeve strukturore në mbështetje të sipërmarrjeve që merren me përpunimin e ullinjve. Ministria italiane e agrokulturës deklaroi se shumë shpejt do të ketë një dekret urgjent dhe një plan strategjik për të mbështetur sektorin. Por ndërkohë pakënaqësia vazhdon.

HAITI

Dhe në Haiti protestat anti qeveritare kanë qenë të ashpra ku me dhjetëra mijëra manifestues kanë zbritur në rrugët e kryeqytetit Port o Prins kundër presidentit Moise, për shkak të rritjes së çmimeve të produkteve bazë në një vend të gjunjëzuar nga varfëria dhe papunësia.

Përplasjet me forcat e rendit kanë shkaktuar me dhjetëra të plagosur dhe dy viktima ndërsa Këshilli i ministrave dekretoi zyrtarisht krizën ekonomike në të gjithë territorin duke ndërmarrë masa për shkurtim buxheti dhe për ministritë.

SHBA

Ndërsa në Shtetet e Bashkuara të Amerikës tema e protestës ka të bëjë me ligjin e ri për abortin.  Grupe dhe shoqata katolike janë ngritur kundër ligjit më të fundit të hyrë në fuqinë Nju Jork, i cili lejon ndërprerjen e shtatzanisë dhe pas javës së 24, dhe në rast se jeta e nënës është në rrezik, dhe në muajin e nëntë.

Reagimet e liderëve fetarë kanë qenë shumë të ashpra duke vënë madje dhe në dyshim nëse ata që kanë miratuar këtë ligj e respektojnë ose jo fenë të cilës i përkasin.