Sport Jo vetëm Realit, por edhe La Ligas po i mungon Ronaldo

Jo vetëm Realit, por edhe La Ligas po i mungon Ronaldo

Largimi i Cristiano Ronaldos ka qenë një goditje e madhe për Realin e Madridit të cilët ende nuk po gjejnë rrugën e duhur pa portugezin në skuadër. Por në fakt madrilenët nuk janë viktimat e vetme të largimit të luzitanit drejt Juventusit verën e kaluar.

La Liga si kampionat është prekur shumë, pasi në mungesë të Ronaldos shumë gjëra kanë ndryshuar. Duke i lënë sponsorët apo gjithçka tjetër sa i përket marketingut mënjanë, dhe nëse flasim për futboll shenja është e madhe.

Kampionati aktual po i drejtohet fundit dhe për herë të parë që nga viti 2006-2007 do të mbyllet me më pak se 1000 gola te realizuar. Momentalisht në 320 ndeshje të zhvilluara janë shënuar vetëm 830 gola me një mesatare 2.59 gola për ndeshje. Nëse mbahet kjo tendencë deri në fund të javës së 38-të atëherë do të arrihet në shifrën e 985 golave.

Vetëm një rritje e çmendur e rrjetave të prekura do të bënte që shifra e 1.000 golave të kalohej në këtë sezon. I nevojitet mesatarja 2.8 gola për ndeshje deri në fund, gjë që e kane realizuar klubet vetëm ne 8 ndeshjet e para të sezonit.

Nëse i hedhim një sy statistikave të sezonit të kaluar me Ronaldon pjesë të La Ligës, Reali i Madridit kishte pas javës së 32-të të kampionatit 79 gola, që do të thotë 23 më shume se tani. Me portugezin kampionati do të mbyllej me 1.008 gola nëse do të luante në Bernabeu, dhe jo me 985 siç pritet.

Sidoqoftë për shkak të mungesës së Cristiano Ronaldos apo mungesës së saktësisë të sulmuesve përpara portës, e vërtetë është që La Liga ka humbur golat. Pasi arriti dy vite më pare 1.118 gola dhe sezonin e kaluar 1.024 sot me 830 është drejt rrugës negative gjë që nuk ndodhte që nga sezoni i largët 2006-2007. Mesa duket në Spanjë kanë nisur të ndjejnë edhe më tepër mungesën e CR7-ës.