Bota Joe Biden urdhëron sulmin e parë ushtarak si president

Joe Biden urdhëron sulmin e parë ushtarak si president

Shtetet e Bashkuara kanë ndërmarrë sulme ajrore ndaj grupeve të milicisë pro-iraniane në lindje të Sirisë, si kundërpërgjigje për sulmet e tri javëve më parë mbi bazat dhe personelin amerikan në Irak.

Shtetet e Bashkuara kryen këtë të premte sulme ajrore në Sirinë lindore, duke shënjestruar objektiva dhe baza të përdorura nga milicitë pro-iraniane, në kufi me Irakun.

Departamenti amerikan i Mbrojtjes tha se operacioni u zhvillua në përgjigje të sulmeve me raketa, që u kryen në fillim të këtij muaji në një bazë irakiane, ku ishin të stacionuar trupat e SHBA-së dhe të koalicionit.

Zëdhënësi i Departamentit të Mbrojtjes, John Kirby tha në një deklaratë se sulmet ishin ndërmarrë me urdhrin e Presidentit Joe Biden.

“Goditjet u autorizuan në përgjigje të sulmeve të fundit kundër personelit amerikan dhe të koalicionit në Irak dhe kërcënimeve të vazhdueshme. Operacioni dërgon një mesazh të qartë: Presidenti Biden do të veprojë për të mbrojtur personelin amerikan dhe të koalicionit”, tha Kirby.

Pentagoni e cilësoi aksionin si një “përgjigje proporcionale ushtarake”, që u mor “së bashku me masat diplomatike”, përfshirë konsultimin me partnerët e koalicionit.

Nuk ka vonuar edhe reagimi i Rusisë, aleates ushtarake të Sirisë, e cila me anë të zëdhënëses së Ministrisë së Punëve të jashtme të Rusise, Maria Zakarova, ka dënuar sulmet duke i konsideruar si shkelje te sovranitetit dhe integritetit territorial të Sirisë

“I dënojmë fuqimisht veprimne të tilla dhe bëjmë thirrje për respektim të sovranitetit dhe integritetit territorial të Sirisë. Vazhdojmë të kundërshtojmë me vendosmëri çdo përpjekje për të përfshirë Sirinë në arenën gjeopolitike të forcave të jashtme”, tha Zakharova.

Nën ish-presidentin Donald Trump, Shtetet e Bashkuara kanë fajësuar milicitë irakiane, të mbështetura nga Irani, për sulme të vazhdueshme me raketa në bazat e ushtarëve amerikanë, si dhe në Ambasadën e SHBA-së në Zonën e Gjelbër të Bagdadit.

Tensionet midis Uashingtonit dhe Teheranit janë përshkallëzuar pasi Trump, në janar të vitit të kaluar, ka urdhëruar një sulm me dron në Bagdad, në të cilin mbeti i vrarë gjenerali i lartë i Iranit, Kasem Soleimani, bashke me zyrtare ushtarake irakenë. Vdekja e komandantit iranian bëri që grupet e milicive irakiane dhe partitë politike aleate, të bëjnë thirrje për dëbimin e forcave amerikane nga Iraku.