Bota Joe Biden, zyrtarisht president i SHBA: Demokracia “u vu në provë”, por...

Joe Biden, zyrtarisht president i SHBA: Demokracia “u vu në provë”, por qëndroi e fortë

Joe Biden është zyrtarisht presidenti i 46-të i Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Fjalën e fundit e thanë anëtarët e Kolegjit Elektoral të cilët miratuan rezultatin e zgjedhjeve presidenciale të 3 nëntorit, hapi i fundit i demokratit drejt Shtëpisë së Bardhë.

Kalifornia, shteti më i populluar i vendit, i dha zotit Biden 55 votat e saj elektorale, duke bërë që ai të kapërcejë zyrtarisht totalin e 270 votave, të nevojshme për të siguruar Shtëpinë e Bardhë.

Bazuar në rezultatet e nëntorit, Biden fitoi gjithsej 306 vota të Kolegjit Zgjedhor kundrejt 232 të Republikanit Donald Trump.

Tani që votimi i Kolegjit Zgjedhor ka përfunduar, mbetet edhe një hap i fundit.

Më 6 janar, Senati dhe Dhoma e Përfaqësuesve do të mblidhen në një sesion të përbashkët të Kongresit për të numëruar zyrtarisht votimin e Kolegjit Zgjedhor.

Ky moment, shpallja zyrtarisht e fituesit ka marrë një rëndësi të veçantë në këtë zgjedhje për shkak të refuzimit të Presidentit Donald Trump për të pranuar se ai humbi garën presidenciale.

“Demokracia “u vu në provë”, por qëndroi e fortë”

Në fjalën e tij të parë si president zyrtar, Joe Biden iu drejtua kombit duke u shprehur se demokracia u vu në provë, por në fund të fundit fitoi. Joe Biden u tha amerikanëve se “vullneti i popullit fitoi”.

Në një fjalim të mbajtur në Uilmington të shtetit Delauer, ai tha se demokracia “u vu në provë dhe u kërcënua, por rezultoi e qëndrueshme, e besueshme dhe e fortë.”

“Sundimi i ligjit, Kushtetuta jonë dhe vullneti i popullit fituan,” tha Presidenti i zgjedhur.

Zoti Biden u kërkoi amerikanëve ta hidhnin vështrimin përtej fushatës së zgjedhjeve të 3 nëntorit dhe përpjekjeve të Presidentit Donald Trump për të mos pranuar humbjen.

“Nëse dikush nuk e dinte më parë, tani ne e dimë. Ajo që rreh thellë në zemrat e popullit amerikan është demokracia… Është e drejta për t’u dëgjuar. Që vota juaj të numërohet. Që ju të zgjidhni udhëheqësit e këtij vendi. Që të qeverisni veten”, tha Biden.

Duke iu referuar përpjekjeve të zotit Trump për të përmbysur rezultatin e zgjedhjeve përmes sfidave ligjore që janë refuzuar nga gjykatësit në të gjithë spektrin politik, përfshirë Gjykatën e Lartë, Biden argumentoi se sistemi qeverisës i Amerikës mbetet i paprekur.

“Në Amerikë, politikanët nuk e marrin pushtetin, është populli që ua jep atyre”, tha ai. “Flaka e demokracisë është ndezur në këtë vend shumë kohë më parë. Dhe tani ne e dimë se asgjë, madje as një pandemi, apo një abuzim i pushtetit, nuk mund ta shuajë atë flakë”, tha Biden.

Në fjalimin e tij, Presidenti i zgjedhur tha se fitoi me të njëjtën diferencë votash elektorale si edhe zoti Trump në vitin 2016, duke shtuar se kjo ishte “një fitore e qartë” si atëherë ashtu edhe tani.

Ai vuri në dukje pjesëmarrjen rekord të zgjedhësve në votime dhe tha se kjo pjesëmarrje “duhet të festohet dhe jo të sulmohet”.

Ai u zotua se do të jetë “një president për të gjithë amerikanët.”

“Do të punoj po aq shumë për ata që nuk më votuan, sa edhe për ata që më votuan”, tha Biden.