Extra John Alite ankohet për “mafiozët e Instagramit”: Bëjnë si të fortë pa...

John Alite ankohet për “mafiozët e Instagramit”: Bëjnë si të fortë pa bërë asnjë vrasje

Kur John Alite ishte pjesë e familjes mafioze Gambino në Nju Jork, kërcënimet ndaj të tjerëve bëheshin me thika, plumba dhe shkopa bejsbolli. Por asnjë mafioz që kishte vlerësim për veten nuk do të kërcënonte dikë përmes një mesazhi në telefon.

Kështu deklaroi në një intervistë për “Daily Mail” mafiozi me origjinë shqiptare, sot i shndërruar në autor librash dhe folës publik. “Çdokush që dërgon mesazh në telefon nuk e ka idenë se çfarë do të thotë të jesh gangster”, tha 59-vjeçari. “Çdokush mund të bëjë si i fortë në telefon, por kur ke ndërmend të tregohesh i dhunshëm nuk ke pse e paralajmëron tjetrin”.

Alite është vetëm një prej “shkollës së vjetër” të Mafias së NjuJorkut, të cilët akuzojnë brezin e ri se janë shumë të dhënë pas telefonave dhe rrjeteve sociale. Muajin e kaluar, gjatë një operacioni antimafia në Nju-Jork, u zbuluan disa mesazhe kërcënimi nga mafiozë të familjes Colombo, ndërsa një anëtar i saj u arrestua pasi i biri postoi foton e të atit në një pishinë në Florida.

Ekspertë amerikanë të Mafias thonë se nga operacioni i fundit, ku ishin të përfshirë kokat e grupit, për të bërë punë operative, si kërcënimi i sindikalistëve, kuptohet që brezi i vjetër nuk ka besim tek i riu. Profesori James B. Jacobs, i Fakultetit të Drejtësisë në Universitetin e Nju-Jorkut, thotë se integrimi i lagjeve italo-amerikane në Nju-Jork dhe rritja e klasës punëtore, ua ka bërë më të vështirë mafiozëve të gjejnë rekrutë.

“Kur Mafia ishte Mafia kishte pasoja të rëndë nëse nuk e mbaje gojën. Tani mund të flasësh ose të bësh çfarë të duash dhe asgjë nuk ndodh”, tha ai. “Tani duan të ngrenë imazhin e gangsterëve, por pa bërë asnjë vrasje. Nuk ka më dhunë dhe prandaj nuk arrijnë rezultate. Disa nga këta tipa nuk janë larguar, nuk flasin asnjë fjalë italisht, nuk janë larguar kurrë as nga lagjja. E si mund ta kuptojnë origjinën e Mafias? Është e pamundur që të kuptojnë sa i dhunshëm ka qenë brezi ynë”.