Extra John Travolta dhe vallëzimi i famshëm me Lady Diana: Më dukej sikur...

John Travolta dhe vallëzimi i famshëm me Lady Diana: Më dukej sikur isha në një përrallë

Vallëzimi me një princeshë (të vërtetë) dhe për më tepër në sallën e ballos së Shtëpisë së Bardhë nuk është diçka që ndodh çdo ditë, prandaj John Travolta ende e mban mend atë mbrëmje të nëntorit 1985 si një përrallë kur, si mysafir i presidentit të atëhershëm të SHBA, Ronald Reagan, dhe gruas së tij Nancy, “pushtoi” pistën e vallëzimit me Lady Diana, Princeshën e Uellsit.

“Nuk mendoja se do të më kërkonin të kërceja me të, – tha aktori 67-vjeçar në një intervistë të dhënë ‘Esquire Mexico’, – dhe ta bësh këtë ishte një privilegj i madh dhe një nder. Thashë me vete “duhet të ketë një arsye për ta bërë këtë dhe më mirë të jap gjithçka”, që do të thoshte të vallëzoja mirë dhe të siguroheshim që të argëtoheshim.

“Por kjo ishte pjesa e lehtë, gjëja e ndërlikuar ishte ta përshëndesja në mënyrën e duhur Dianën dhe t’i kërkoja për të vallëzuar”. E sikur të mos mjaftonte është edhe vetë vendndodhja – Shtëpia e Bardhë – që do të bënte çdokënd nervoz, por Travolta arriti të bënte gjithçka siç duhet.

“Mbaj mend që ishte mesnatë dhe se pista e vallëzimit ishte një ëndërr – vazhdon ylli i ‘Grease’ – iu afrova Dianës dhe ia preka bërrylin, duke e ftuar atë për të kërcyer. Ajo u kthye dhe më dha atë buzëqeshje simpatike dhe trishtuese njëkohësisht, duke pranuar ftesën time dhe e gjetëm veten duke kërcyer së bashku për 15 minuta, sikur të ishte një përrallë. Kush do ta kishte imagjinuar që një gjë e tillë do të ndodhte një ditë? Ja pse isha aq i ‘etur’ për ta ngulitur atë moment në kujtesën time si diçka magjike dhe shumë të veçantë”.