Bota Johnson, Brukselit: Nuk do të pranojmë rregullat tuaja

Johnson, Brukselit: Nuk do të pranojmë rregullat tuaja

Largimi zyrtar i Britanisë së Madhe nga Bashkimi Europian hapi një fazë të re negocimi, që duket se do të jetë shumë e vështirë. Kryeministri Boris Johnson nuk do të pranojë që vendi i tij të qëndrojë i lidhur me rregullat e Bllokut kur Londra të negociojë marrëveshjen tregtare me Brukselin.

Në një fjalim që do të mbajë të hënën, sipas asaj që raporton BBC, ai do të ashpërsojë qëndrimin zyrtar përpara nisjes së bisedimeve. Gjithashtu është i gatshëm të pranojë kontrollet kufitare nëse nuk arrin marrëveshjen tregtare që dëshiron.

Ministri i Jashtëm britanik, Dominic Raab thotë se qëndrimi lidhur me rregullat e BE-së është një pikë që mposht qëllimin e procesit Brexit.

“Ne po vihemi në kontroll të ligjeve tona, kështu që nuk do të kemi lidhje të fortë me Bashkimin Europian apo rregullat e tyre. Ne dëshirojmë të bashkëpunojmë dhe presim që BE t’i qëndrojë përkushtimin për një marrëveshje për tregti të lirë të njëjtë si me Kanadanë”, deklaroi Raab.

Megjithatë, kryeministri irlandez, Leo Varadkar thotë se Britania e Madhe duhet të përshtatet me terrenin në mënyrë që të përfitojë një marrëveshje për tregti të lirë. Të njëjtën qasje patën edhe zyrtarët e lartë të Bllokut që i bënë me dije Londrës se sa më larg të jetë nga rregullat, aq më pak qasje do të ketë në tregun europian.

Shefi negociator i Brukselit, Michel Barnier do të prezantojë shumë shpejt qasjen e tij për negociatat, që pritet të nisin muajin e ardhshëm. Bisedimet do të zgjasin deri në dhjetor, kur përfundon dhe periudha e tranzicionit.