Bota Johnson konfirmon rihapjen e pjesshme të shkollave më 1 qershor

Johnson konfirmon rihapjen e pjesshme të shkollave më 1 qershor

Kryeministri britanik, Boris Johnson konfirmoi planin për lehtësimin gradual të masave kufizuese me rihapjen e pjesshme të shkollave duke nisur nga 1 qershori, pas më shumë se dy muajve kufizim për të parandaluar përhapjen e koronavirusit të ri.

“Rikthimi do të jetë gradual dhe sipas grupmoshave për shkollat fillore, duke përfshirë tashmë moshat 4-6 vjeç dhe nga 10-11 vjeç në Angli”, theksoi Johnson gjatë konferencës së përditshme për shtyp të qeverisë mbi luftën kundër COVID-19.

“Nxënësit e shkollave të mesme do të rifillojnë më vonë”, shtoi ai duke theksuar se studentët dhe mësuesit do të jenë në “kontakt” për t’u përgatitur për provime duke nisur nga 15 qershori.

Si në shumë vende, kushtet për rihapjen e shkollave janë bërë subjekt i polemikave në Britaninë e Madhe, vendi i dytë më i goditur nga COVID-19 me më shumë se 37 000 të vdekur nga koronavirusi i ri.