Politika Jorida Tabaku: Pse refuzoj propozimin për të drejtuar PD-në

Jorida Tabaku: Pse refuzoj propozimin për të drejtuar PD-në

Nënkryetarja e PD, Jorida Tabaku ka refuzuar propozimin për të qenë ajo kryetarja e komanduar e PD. Tabaku e bëri mendimin në mbledhjen e kryesisë së PD që ka nisur prej orës 17:00.

Fjala e plotë e Jorida Tabakut në mbledhjen e kryesisë

Të nderuar kolegë, anëtarë të kryesisë,

Së pari më lejoni të falenderoj z. Alibeaj për punën dhe ngarkesën që ka mbajtur gjatë vitit të kaluar. Ai ka mbajtur peshë të madhe sulmi, përbaltje që duhet respektuar dhe falenderuar.

Viti i fundit nuk ka qenë i lehtë për shumë nga ne dhe situata në Partinë Demokratike ka ndikuar njëkohësisht dhe punën në parlament dhe sidomos në terren. Sherri dhe përplasja nga lartë zbritën në terren duke na dhënë pamje të një përplasje tragjike dhe të turpshme.

Jo vetëm kaq, por për një vit secili nga ne me një hierarki pozicioni dhe vëmendje publiku, pra kush më shumë e kush më pak, u kthye në një shënjestër shpifjeje, përçudnimi, përgojimi dhe poshtërimi vetëm se me vetëdije vendosi të mbajë një qëndrim ndryshe. E gjitha kjo, ndikoi në frymën dhe atmosferën e përgjithshme të një beteje politike produkt i së cilës është kjo situatë që shohim sot.

Kam biseduar dy javët e fundit me kolegë deputetë të grupit parlamentar, ish deputetë e dashamirës të Partisë Demokratike. Ata, janë një pjesë me rëndësi e rrugës që mendoj se duhet të ndjekim. Dhe mendoj kështu pasi në fund të ditës deputeti është një person politik me peshë elektorale që padyshim është një zë i rëndësishëm për t’u dëgjuar.

Nga gjithë këto diskutime që kam zhvilluar gjatë këtyre dy javëve të fundit, ajo çka kam kuptuar ka qenë pikërisht dështimi i kësaj force politike për t’u përballur realisht me rezultatin e zgjedhjeve, gjithmonë.

Kur them përballjen, e kam fjalën jo për një kuvend partie që mblidhet dhe ka një tabelë qitje edhe përcakton disa faje që i takojnë përherë kundërshtarit tonë. Por, kam fjalën për një përballje siç edhe i takon një force politike me votën e qytetarëve në çdo kuti dhe pse jo me strategjinë e ndjekur.

Kjo, gjykoj na ka hedhur tej paaftësinë tonë për të ndryshuar, për të reflektuar edhe për tu përshtatur me atë që kërkojnë sot njerëzit. Madje për të lëvizur mekanizmat e duhur të forcës sonë politike për t’i marrë maksimumin.

Mospjesëmarrje në zgjedhjet e 2019, largimi nga parlamenti, mos funksionimi si duhet në terren, angazhimi në revolucione dhe premtime që në fakt kishin synim ngritjen e moralit të bazës sonë por që na sillnin humbje edhe më të mëdha.

Ndërsa, fatkeqësisht që pas 2021 e shpenzuam kohën tonë për një betejë të brendshme, por kjo jo aq prej fajit tonë më shumë se sa një përgjigje hera herës e padëshiruar ndaj atyre që mendonin se duke na fyer mund të fitonin. Por, sikundër dhe vërtetuan këto zgjedhje askush nuk e pëlqen një forcë politike që ulëret në kundërshti dhe nuk ofron dot një alternativë.

Duke pasur parasysh këto gabime të vazhdueshme, që kanë mbjellë një kulturë pafuqie dhe humbësi (të pamerituar) tek demokratët, mendoj dhe besoj se ne duhet të përpiqemi të paktën kësaj here ku kemi arritur, që t’i bëjmë gjërat ndryshe. E provuam disa herë këtë rrugën dhe rezultati qe katastrofik aq sa dhe Shkodra që i duroi dhe 2019 sot nuk është më e jona.

Kësaj i shtohet dhe lufta e brendshme që na ka shpërbërë dhe shkërmoqur thuajse plotësisht. Mbase ia kemi dalë paq me këtë rezultatin kësaj radhe. Por, kjo nuk është garanci për të vazhduar po njësoj.

Prandaj, jemi ne që duhet të ndryshojmë dhe të kemi një qasje tjetër që të jemi shpresë për shqiptarët dhe demokratët. Me pak fjalë të jemi alternativa e një shumice që sot ka votuar me heshtjen e mos-votimit.

Një vit më parë, z. Basha më propozoi që pas dorëheqjes së tij të merrja rolin e kryetares së emëruar të PD. Një mundësi që e refuzova! E risjell në vëmendje këtë ngjarje që mbase pakkush e di, për t’ju evidentuar faktin se nuk po kërkoj sot diçka nga halli im personal apo një ambicie ime e fshehur aty me kujdes. Përkundrazi, qëllimi im është që të nxjerrim nga ky batak ku ka rënë forca jonë politike.

Kam pasur një pozicion në Partinë Demokratike që nga shtator 2021, si zv kryetare e partisë dhe besoj të gjithë e kuptojmë se sa e lehtë ka qënë në situatën ku po operojmë. Mgjs kam punuar e kontribuar shumë, kam menduar se nuk të jep pozicioni rëndësi por të jep puna dhe ndoshta dhe me një modesti të tepruar kam kontribuar shumë e mos pretenduar asgjë.

Nuk ka asgjë të keqe të kesh ambicie në politikë, është njerëzore, por në situatën ku ndodhemi besoj që prevalon interesi i përbashkët më shumë se ai vetjak, e për këtë arsye:

Kam vendosur që të mos e pranoj propozimin e z. Bardhi për drejtimin e komanduar të Partisë Demokratike.

Por, sa kohë që jam këtu dua t’i japim demokratëve një proces real, e një mundësi bashkimi që gjykoj është i rëndësishëm si dhe një proces riorganizimi për një forcë politike moderne. Për këtë arsye propozoj:

Ngritjen e një grupi drejtues me 3 persona me eksperiencë të cilët do të çojnë Partinë Demokratike në zgjedhje nga poshtë-lartë. Kjo duhet të përfshijë dhe një proces ri-anëtarësimi duke pasur parasysh situatën reale në të cilën ndodhet sot PD. Sot askush nuk e di anëtarësinë reale të Partisë Demokratike, dhe nuk pranoj dot të më thoni që anëtarësia është e plotë.

Hapjen e procesit të analizës dhe nisjen e një diskutimi me demokratët se ku dhe çfarë gabuam. E këtu kam fjalën një analizë reale politike me çdo kuti për të kuptuar potencialin e humbur dhe atë që mund të rifitojmë. Gjithashtu për të dhënë mundësi reale bashkimi në bazë përmes një proces reflektimi pasi ne nuk mund të jemi të hapur me disa; po bashkimi me të gjithë ato demokratë që për 10 vite janë lodhur duke qenë humbës, është e pafalshme dhe e padrejtë të përsërisim 6 marsin e 14 majin.

Dixhitalizimin dhe modernizimin duke synuar shndërrimin e saj në kapilare nga një forcë politike elektorale që kemi qenë këto vite. Përhapjen e Partisë Demokratike tek të rejat edhe të rinjtë duke rivitalizuar dhe rishikuar përmirësimin e strukturave si ajo e FRPD, LDG edhe jo vetëm.

Caktimin e 12 drejtuesve për të 12 qarqet të cilët do të fillojnë punën në terren dhe do të jenë në mbështetje të grupit drejtues të përkohshëm.

Rënien dakord me një proces që do të na bëjë nder ne, që të prompvjmë njerëz të vjetër e të rinj me integritet, me meritokraci, pa skema e intriga, dhe do t’i japim kohë reale demokratëve të gjykojnë për të ardhmen.