Bota Juncker dorëzon detyrën, Ursula Von der Leyen merr nesër zyrtarisht drejtimin e...

Juncker dorëzon detyrën, Ursula Von der Leyen merr nesër zyrtarisht drejtimin e Europës

Ish-kryeministri i Luksemburgut, Jean-Claude Juncker do të tërhiqet nesër si President i Komisionit Europian, pas pesë vjetësh në krye të ekzekutivit të BE-së. Presidenca e tij u shënjua nga Brexit, kriza e emigrantëve, pasojat e krizës financiare të vitit 2008 dhe Kriza e mëpasshme Greke. Komisioni ‘politik’ i Juncker drejtoi gjithashtu ‘planin e investimit Juncker’, kreu një zbatim të lirshëm të rregullave fiskale të bllokut, dhe trajtoi proteksionizmin në rritje të SHBA.

I njohur për sinqeritetin e tij, ai shpesh citohej për komente të qarta, siç ishte rasti kur përshkroi kërkesat e ish kryeministres britanike, Theresa May, në negociatat e Brexit, si “mjegulluese”. Disa ditë pas referendumit të Brexit, Juncker sfidoi fushatën e spikatur anti-BE të Nigel Farage në parlamentin Evropian, duke e pyetur atë me vëmendje: “Pse je këtu?” Njëherë tjetër qortoi parlamentin e BE për pjesëmarrje të dobët, duke e cilësuar atë si “qesharake”.

Komisioni i ri Europian, i cili do të kryesohet nga Ursula Von der Leyen e Gjermanisë, do të fillojë të dielën (1 Dhjetor). Një ceremoni dorëzimi midis Juncker dhe pasardhëses së tij pritet të zhvillohet të martën. Juncker, tani 64 vjeç, hyri në qeverinë e Luksemburgut në 1982, duke u bërë Ministër i Punës në 1984 dhe Ministër i Financave në 1989. Ai mori detyrën e tij të parë në BE në 2004 kur u bë president i Eurogroup.