Bota Juncker: Gati për të vonuar Brexit, por britanikët nuk më gjunjëzojnë dot

Juncker: Gati për të vonuar Brexit, por britanikët nuk më gjunjëzojnë dot

Jean-Claude Juncker, Presidenti në largim i Komisionit Evropian, tha se do të ishte e mençur që të pranohet një kërkesë për të shtyrë Brexit nëse qeveria britanike do ta kërkonte atë.

“Nëse britanikët kërkojnë më shumë kohë, gjë që unë dyshoj se do të bëjnë, unë mendoj se do të ishte historikisht e kotë të refuzosh”, i tha Juncker të përditshmes vjeneze Kurier.

“Por unë me siguri nuk do të gjunjëzohem t’u kërkoj atyre më shumë kohë. Kjo është një çështje për britanikët”, shtoi Juncker, mandati i të cilit skadon në fund të tetorit.

Samiti evropian i planifikuar për 17 dhe 18 tetor shihet si shansi i fundit për të shmangur Brexit pa një marrëveshje më 31 tetor ose një tjetër vonesë në tërheqjen e Mbretërisë së Bashkuar nga të qënit në BE.

Juncker tha se qëllimet e kryeministrit britanik Boris Johnson në samitin e ardhshëm ishin plotësisht të paqarta.

“Në krahasim me parlamentin britanik, sfinksi egjiptian është si një libër i hapur”, tha Juncker.

Nëse Britania e Madhe bën thirrje për shtyrjen e Brexit, vendimi duhet të pranohet unanimisht nga të gjithë anëtarët e BE.