Bota Juncker: Pa mua, Greqia do ishte dëbuar nga Eurozona në vitin 2015

Juncker: Pa mua, Greqia do ishte dëbuar nga Eurozona në vitin 2015

Ish-presidenti i Komisionit Evropian, Jean-Claude Juncker, thotë në një intervistë me Kathimerini-n se Greqia mund të ishte dëbuar nga Eurozona në vitin 2015, nëse ai nuk do të kishte ndërhyrë për të qetësuar tensionet midis Athinës dhe vendeve të tjera anëtare.

Duke diskutuar krizën greke, Juncker tha se disa qeveri besonin se nuk ishte roli i Komisionit Evropian aktivizimi në zgjidhjen e mosmarrëveshjeve me Athinën. “Unë me të vërtetë mendoj, duke lënë mënjanë modestinë, se pa mua Greqia do ta kishte lënë Eurozonën në 2015”, thotë ai, duke shtuar se presioni ishte “i madh” nga “më shumë se një qeveri” për ta lënë Greqinë të ikte.

Juncker thotë se ideja që mbizotëroi midis vendeve anëtare në vitin 2015 ishte që Greqia të kalonte “ca kohë jashtë zonës euro”. Ai shton se për asnjë moment vetë nuk mendoi se kjo do të ishte rruga e duhur.

“Në momentin që del jashtë, ke dalë njëherë e përgjithmonë“, thotë ai në intervistë.

I pyetur nëse ishte një vendim i mençur për të përfshirë Fondin Monetar Ndërkombëtar në të tre operacionet e shpëtimit, ai tha se ishte kundër idesë në 2010-n, duke argumentuar se nëse Kalifornia përballet me probleme ekonomike ajo do t’i kërkonte qeverisë federale amerikane ndihmë dhe jo FMN-së.

Juncker tha se Greqia iu afrua daljes nga BE-ja më shumë në gjysmën e parë të 2015-s, kur kryeministri i atëhershëm Alexis Tsipras mbërriti në Bruksel me “ide të çuditshme” për atë që duhet bërë, duke insistuar në dimensionin shoqëror të krizës.

Në lidhje me marrëveshjen midis Athinës dhe Shkupit për të zgjidhur mosmarrëveshjen dhjetëvjeçare për emrin e Maqedonisë së Veriut, Juncker tha se ai i tha Tsipras se sa i rëndësishëm do të ishte një zhvillim i tillë për tërë Evropën, duke përmendur se lideri i majtë “kritikoi kundërshtitë e Demokracisë së Re dhe reagimeve në Greqinë veriore”.