Bota Juncker për DW: Të hapen rrugë legale për në Europë

Juncker për DW: Të hapen rrugë legale për në Europë

Në sfondin e “tregtisë me skllevër” që po bëhet me migrantët në Libi, BE nuk duhet të heshtë, thotë për DW, kryetari i Komisionit, Jean-Claude Juncker. Ai bën thirrje për hapjen e rrugëve legale për imigrimin në BE.

Të enjten (30.11) takohen në Abixhan kryetarët e shteteve dhe të qeverive të BE-së dhe të Unionit Afrikan. Tema qendrore e samitit në kryeqytetin e Bregut të Fildishtë do të jetë migrimi nga Afrika në Europë: Mijëra vetë përpiqen çdo muaj që përmes Detit Mesdhe të mbërrijnë në vendet e BE-së. Por këtë rrugë do ta mbyllë BE-ja bashkë me vendin tranzit Libinë dhe vendet e tjera afrikane të origjinës së emigrantëve. Para samitit në Abixhan kryetari i Komisionit të BE-së Jean-Claude Juncker u prononcua në intervistë për DW në Bruksel.

DW: A duhet të ndërmarrë më shumë Europa, tani që në Libi është krijuar një situatë e tillë, kur njerëzit që në fakt synojnë Europën për një jetë më të mirë, po shiten si skllevër?

Jean-Claude Juncker: Europa nuk duhet të heshtë në sfondin e këtyre problemeve të pabesueshme, që i përkasin një shekulli tjetër. Afrika e njeh mirë problemin e skllavërisë. Unë jam i tronditur nga informacionet, që vijnë nga Afrika. Ne e njohim problemin e Libisë. Ky nuk është një shtet si gjithë të tjerët. As nuk është e imagjinueshme dhe as e pranueshme, që Europa të mbyllë sytë përballë kësaj drame të përditshme për shumë njerëz – fëmijë, gra e burra – në Libi. Unë gjatë një samiti tjetër doja të arrinim, që ne të gjithë vëmendjen tonë t’ia kushtojmë këtij problemi. Nuk mund të fle i qetë me mendimin për atë që po u ndodh atyre njerëzve në Libi, të cilët në fakt duan vetëm një jetë më të mirë. Por ata kanë gjetur ferrin në Libi.

Jeni i shokuar për përmasat që ka arritur situata e vështirë në Libi, ku njerëzit po shiten si skllevër?

Po, jam mjaft i shokuar. Deri para dy muajsh nuk e dija, që problemi ka arritur përmasa të tilla. Eshtë kthyer në një problem urgjent. Ndonëse Europa ka marrëdhënie të rregullta me Libinë, ne nuk duhet të heshtim e nuk do ta bëjmë këtë.

A nuk është ky edhe një rezultat direkt i intensifikimit të kontrolleve në Mesdhe e vështirësimit të mundësive për të ardhur në Europë?

Kontrollet janë përmirësuar, po kjo ishte e domosdoshme. Fakti, që në Libi ka një rritje të numrit të migrantëve, që nuk mund të arrijnë më përmes detit në Europë, nuk është arsye e mjaftueshme për t’i plagosur njerëzit, për t’i vrarë e plaçkitur ata, që ndodhen në situatë të vështirë, në kushte që u ngjajnë atyre të burgjeve, por jo të strehimoreve për refugjatë.

A nuk duhen gjetur rrugë legale për migracionin për ta zbutur këtë problem?

Që nga viti 2014, në kohën e luftës elektorale për zgjedhjet europiane dhe në fjalimin tim në Parlamentin Europian, unë gjithmonë kam bërë thirrje për migracionin legal. Unë besoj, që ne pa rrugë legale migracioni për në Europë dhe brenda saj jemi të humbur. Nëse, ata që vijnë këtu në mënyrë jo fatlume nuk lejohen të hyjnë nga dera në shtëpinë e Europës, atëherë ata do të vazhdojnë të futen përmes rrugëve të tërthorta. Ndaj ne kemi nevojë për rrugë legale dhe Komisioni ndërkohë ka bërë propozimet. Europa siç po duket ka një nevojë të madhe për migracionin në dekadat e ardhshme. Ndaj ne duhet t’u mundësojmë rrugë legale atyre që duan dhe mund të vijnë këtu./DW