Sport Juve, Dybala qëndron, gati rinovimi. Pjanic kërkon rikthimin

Juve, Dybala qëndron, gati rinovimi. Pjanic kërkon rikthimin

Kontrata i skadon në vitin 2022, por Paulo Dybala do të qëndrojë tek Juvja, pavarësisht zërave të merkatos. Barcelona ka provuar ta përfshijë në një shkëmbim që do t’u shërbente “blaugranave” për t’u liruar nga paga prej 15 milionë eurosh e Griezmann, por nuk do të ketë tratativa, Juventus ka vendosur ta heqë nga merkato.

Tani klubi dhe përfaqësuesit e lojtarit do të flasin për rinovimin, por pa ankth e pa shqetësime të veçanta. Vullneti i palëve për të arritur te një kontratë e re është shprehur qartë, edhe falë dëshirës së Allegrit, që në ditët e para të punës e ka gjetur numrin 10 në formë. Nga mesi i javës së ardhshme do të arrijë në Itali agjenti i tij Jorge Antun për një takim me drejtuesin e Juventus Cherubini, për të folur edhe për shifrat.

Para pandemisë ka patur një propozim nga klubi për një pagë prej 10 milionë eurosh dhe tani ndoshta tratativa do të nisë nga një shifër pak më e ulët, por që me bonuse jo të vështira për t’u arritur mund të arrijë gjithmonë kuotën 10. Përtej shifrave, mes palëve ka dhe një klimë krejt ndryshe nga ajo e një viti më parë, pasi ka qetësi dhe besim reciprok.

Pjanic kërkon të rikthehet

Ndërkohë, Juventusi po punon edhe për Pjanicin, që ka shprehur gatishmërinë për t’u rikthyer në Torino nga Barcelona. Mesfushori është i gatshëm ta reduktojë ndjeshëm rrogën e tij. Gjithsesi, bardhezinjtë do të duhet të bëjnë një shitje më parë. Ka shumë mundësi që i sakrifikuari të jetë Ramsey. Vetëm pas largimit të uellsianit, ëndrra e Pjanic për t’u kthyer në Torino mund të realizohet. Nuk duhet harruar se Massimiliano Allegri e vlerëson shumë boshnjakun dhe ka kohë që kërkon ta ketë në skuadër.

Dosjet e tjera

Transferimi mund të arrihet edhe me një huazim, por do të duhet edhe një reduktim i pagës, por ky është një operacion që mund të nisë pak më vonë këtë verë, pasi dosjet e para në tavolinën e Cherubinit mbeten Locatelli, kontrata e Chiellinit që ka skaduar dhe rinovimi i Cuadrados, që i përfundon marrëveshja në 2022.

Ndërkohë, sa i përket rikthimeve në fushë për përgatitjet, i pari do të vijë Sczeczny, që pritet të premten, më pas i takon Cristiano Ronaldos, kthimi i të cilit është programuar për të hënën.