Sport Juve futet mes Depay-t dhe Barçës, lojtari i pavendosur për të ardhmen

Juve futet mes Depay-t dhe Barçës, lojtari i pavendosur për të ardhmen

Kalimi i Memphis Depay te Barcelona me parametër zero dukej një fakt i kryer madje pritej vetëm zyrtarizimi, por jo pasi mesa duket gjërat kanë ndryshuar me Juventusin që në orët e fundit është futur fuqishëm në garë për të firmosur me sulmuesin holandez duke trembur klubin katalanas. Dëshira e vetë futbollistit është të transferohet te Barcelona aty ku e pret krahëhapur ish-trajneri i tij në kombëtaren tulipane Ronald Koeman, por paratë mund të tundojnë këdo dhe Juventusi për ta bindur Depay-n të ndërrojë destinacion i ka ofruar një kontratë me një pagë shumë më të lartë se Barça.

5 milionë euro në sezon plus bonuset në rast suksesesh të skuadrës i ofron klubi spanjoll për një kontratë me kohëzgjatje 3-vjeçare sulmuesit holandez, ndërkohë që bardhezinjtë janë kundërpërgjigjur duke i vendosur në tavolinë Depay-t një pagë prej 8 milionë eurosh në sezon. Vështirë që Barcelona në orët e ardhshme të ngrejë stekën pasi drejtuesit e klubit spanjoll nuk kërkojnë të shpenzojnë shifra marramendëse në pagat e futbollistëve dhe baza fikse do të mbetet ajo prej 5 milionë eurosh, me ndryshimin e vetëm që Barça mund ta rritë nga 3 në 4 vite kohëzgjatjen e kontratës së 27-vjeçarit. Tashmë topi kalon te futbollisti dhe menaxheri i tij, pasi u duhet të vendosin se kë duhet të zgjedhin mes Barçës dhe Juventusit. Memphis Depay në 30 qershor do të lirohet nga çdo detyrim kontraktual me Lyon me të cilët u aktivizua për 4 sezone e gjysmë duke shënuar 76 gola në 178 paraqitje.