Sport Juventus përmbys Lazion, Reali triumfon në Katalunjë

Juventus përmbys Lazion, Reali triumfon në Katalunjë

Juventusi kalon pengesën Lazio dhe “fluturon” drejt titullit të 8 kampion radhazi, pasi tani e shikon veten në kuotën e 59 pikëve, 11 më tepër se Napoli i vendit të dytë.

Në transfertën e mbrëmjes së sotme në “Olimpico”, bardhezinjtë e Allegrit bënë një ndeshje nën ritmin mesatar, duke vuajtur presionin e lacialëve, që pavarësisht lojës së mirë, gabuan shumë në finalizim.

Por goli për skuadrën e Inzaghit erdhi në minutën e 59′ dhe u shënua nga mesfushori i Juventusit Emre Can, që çoi topin në portën e tij, në mënyrë shumë të çuditshme.

Por kaq mjaftoi që Juventusi të zgjohej dhe Allegri të hidhte në fushë portugezin Joao Cancelo, ndërsa ishte pikërisht ky i fundit ai që shënoi golin e barazimit në minutën e 74-t.

Sërish Cancelo bëhet protagonist në minutën e 88′, pasi fiton një 11-metërsh, të cilin e shndërron në gol Cristiano Ronaldo, duke përmbysur rezultatin dhe duke i dhënë fitoren Juventusit.

Pas 21 javësh në kampionat, Juventusi numëron 19 fitore dhe vetëm 2 barazime, duke konfirmuar një sezon fantastik, ndërsa titulli kampion duket vetëm një formalitet.

Reali triumfon në Katalunjë

Reali i Madridit doli me 3 pikë të plota në transfertën katalane përballë Espanyolit, pasi arriti ët fitojë me rezultatin 2-4.

Skuadra e drejtuar nga Santiago Solari e nisi me mjaft vrull sfidën, duke gjetur avantazhin që në minutën e 4-t me anë të karim Benzema, ndërsa kapiteni Ramos dyfishoi në të 15-ën.

Leo Baptistao rihapi takimin për vendasit në minutën e 25-të, por Reali arriti të shënojë edhe dy herë të tjera, fillimisht me Benzema dhe më pas me Bale, duke vënë në kasafortë fitoren.

Në minutën e 72-të Raphael Varane la madrilenët me 10 futbollistë, pasi u ndëshkua me karton të kuq, por avantazhi numerik nuk i shërbeu Espanyolit, që shënoi vetëm një gol me Rosales, duke mos kërcënuar fitoren e Realit.

Pas këtij triumfi, skuadra e drejtuar nga Santiago Solari mbetet në vendin e tretë me 39 pikë, 10 pikë më pak se skuadra e Barcelonës që kryeson me meritë renditjen.