Sport Juventus rekordesh, 26 ndeshje pa humbje në transfertë

Juventus rekordesh, 26 ndeshje pa humbje në transfertë

Juventusi vijon një trajektore ëndrrash me sytë drejt trofeut të 35-të kampion në historinë e “Zonjës së Vjetër”: i teti radhazi për bardhezinjtë, që duket se janë futur në një cikël suksesi të pashterueshëm. Me fitoren e fundit të shënuar në shtëpinë e napolitanëve, klubi torinez thelloi në plus 16 pikë distancën nga ndjekësit e kaltër.

Një avantazh i tillë, i arritur pas 26 javëve të kampionatit, shënohej në Serinë A vetëm në sezonin 2006/2007, pra 12 vjet më parë, kur në krye të tabelës së klasifikimit shiheshin dominuese Inter dhe Roma.

Janë të shumta rekordet e këtij Juvnetusi të Allegrit, që kërkon të arrijë akoma më shumë. Në “San Paolo” torinezët shënuan një tjetër statistikë pozitive në Serinë A, duke e çuar në 26 numrin e transfertave pa pësuar asnjë disfatë, ndërkohë që rekordin absolut në këtë kontekst e mban Milani i Capellos me 38 transferta pa asnjë humbje gjatë edicioneve 1991 -1993.

Për më tepër, “Zonja e Vjetër” mund ta mbyllë eicionin pa pësuar disfatë në Serinë A, si Juvja e sezonit 2011/2012, Milani i 1991/1992 dhe akoma më larg Perugia në edicionin  1978/1979.

Me 72 pikë të grumbulluara dhe 36 të tjera ende në lojë, pra përkatësisht edhe me 12 sfida për t’u zhvilluar, gjigantët e Serisë A mund ta mbyllnin këtë edicion me 108 pikë, duke vendosur kështu një rekord të ri për Serinë A, me primatin që aktualisht i mbetet Juventusit të Contes me suksesin e 102 pikëve në 2013/2014.