Sport Juventusi i frikshëm në merkato, kërkon të rrëmbejë yjet e Barcelonës dhe...

Juventusi i frikshëm në merkato, kërkon të rrëmbejë yjet e Barcelonës dhe Realit

Pasi i rrëmbyen Realit të Madridit yllin e tyre, Juventusi është gati që të bëjë një “grabitje” në Madrid. Këtë herë në shënjestër është Isco.

Ky i fundit nuk e llogariti si titullar edhe në ndeshjen kundër Real Sociedad, pavarësisht mungesës së të dëmtuarve Asensio dhe Bale. Mesfushori spanjoll, i cili me trajnerin e ri ka luajtur nga minuta e parë vetëm në Kupën e Mbretit dhe Champions, kundër CSKA së Moskës, u aktivizua mbi një gjysmë ore nga fundi i sfidës së të dielës, kur Real Madridi ishte tashmë në disavantazhin e një goli. Dhe nuk shndriti, në të vërtetë.

Kjo është arsyeja pse Juventusi mbetet vigjilent ndaj lojtarit. Sipas “Tuttosport”, bardhezinjtë po vlerësojnë mundësinë e një tjetër “grabitjeje” te Real Madridi, gjithmonë nëse Perez është i përgatitur për të bërë një zbritje të konsiderueshme të klauzolës prej 700 milionë euro, e cila thuhet nga mediat spanjolle se është reduktuar në 80 milionë.

Në shënjestër edhe Barcelona

Por jo vetëm në Madrid, Juvja kërkon të rrëmbejë një yll edhe në radhët e Barcelonës. Bardhezinjtë janë futur zyrtarisht në garë për Hordi Albën.

Kjo nuk është hera e parë që mbrojtësi i majtë i Barcelonës, një ndër lojtarët më të fortë në botë në rolin e tij, afrohet me “Zonjën e Vjetër”, duke qenë se një tentativë ishte bërë edhe gjatë verës së kaluar, por nga dje është zyrtar fakti se kampionët e Italisë në fuqi janë hedhur në sulm të spanjollit.

Hordi Alba dhe Barcelona kanë kohë që kanë krisur marrëdhënien e tyre, duke qenë se tashmë rinovimi i kontratës mes palëve është vënë në rrezik real. Akordi aktual mes Albës dhe katalanasve skadon në vitin 2020, por futbollisti që zbarkoi në “Kamp Nou në vitin 2013 kërkon një zgjatje të marrëveshjes deri në vitin 2023, por pikërisht nga kjo kërkesë e iberikasit ka ardhur edhe përplasja e fortë.

Alba, i cili në 7 sezone me Barcelonën numëron 269 ndeshje të luajtura, 14 gola dhe 51 asiste, duket më pranë se kurrë divorcit me kuqeblutë, sepse kërkesa e futbollistit për një rinovim deri në vitin 2023 nuk është pranuar nga drejtuesit e klubit, por akoma më shumë edhe një rritje page nga 5 në 6 milionë euro në sezon është parë si një kërkesë edhe më e tepruar.

Dhe në të tilla pika, Juventusi është gati që të përfitojë dhe ka nisur të futet bindshëm në lojë për anësorin e majtë, i cili edhe pse ka një klauzolë prej 140 milionë eurosh me Barcelonën, sigurisht që ajo nuk do të respektohet, nëse vetë lojtari kërkon të largohet me çdo kusht nga Katalunja. Sipas zërave që kanë nisur të qarkullojnë, Juventusi është gati të bëjë një ofertë prej 40 milionë eurosh për 29-vjeçarin dhe për ta sjellë atë në Torino.