Sport Juventusi kthehet te spektakli, Sarri nuk harron: Pas Napolit u tallët me...

Juventusi kthehet te spektakli, Sarri nuk harron: Pas Napolit u tallët me mua

Maurizio Sarri i gëzohet suksesit të 3-të radhazi në kampionat, por mbi të gjitha lojës që shfaqi Juventusi i tij në sfidën e të martës ndaj Genoas. Bardhezinjtë kanë rigjetur ritmin e duhur teksa zhvilluan një paraqitje të shkëlqyer duke dominuar me lojë dhe rezultat në një ndeshje që foli e gjitha për kampionët e Italisë. Dybala, si dhe Ronaldo dhe Douglas Costa me dy supergola ishin heronjtë e bardhezinjve në këtë duel.

Ndërsa Maurizio Sarri nuk harron kritikat dhe “helmet” ndaj tij, aq sa në konferencën për shtyp pas suksesit ndaj Genoas ka shfryrë duke marrë hakmarrjen e tij.

“Pas karantinës dhe izolimit për shkak të pandemisë bëra një deklaratë në të cilën thashë se diçka dukej sikur kishte ndryshuar, atëherë të gjithë tallën by**n me mua sepse humbëm finalen e Kupës së Italisë me penallti.

Sapo u rritëm si formë fizike dhe në bindjen tonë menjëherë u dallua edhe një tjetër futboll dhe vendosmëri në fushë. Mendoj se gjithçka lidhej me formën fizike dhe atletike të futbollistëve në një vit të pazakontë”.

Ndeshja tjetër për bardhezinjtë, megjithatë, do të jetë derbi me Torinon, të cilin Sarri e ka përshkruar në mënyrë polemike si “furrë”. “Është e paimagjinueshme në korrik të luash në orën 17:00. Nëse mendoni të shisni futbollin jashtë vendit në këtë mënyrë, keni gabuar”.