Sport “Ka lojtarë që nuk shiten”; Perez zbulon dy dështimet e tij te...

“Ka lojtarë që nuk shiten”; Perez zbulon dy dështimet e tij te Real Madridi

Presidenti i Real Madridit, Florentino Perez, pranoi se gjigantët e La Liga-s e kanë ndjekur Robert Lewandowski dhe Paul Pogba, por pretendon se Bayern Munich dhe Manchester United nuk janë të gatshëm t’i lënë yjet e tyre të largohen. Sulmuesi polak ka qenë i lidhur me “Los Blancos” në të kaluarën, me klubin nga “Bernabeu” në kërkim të një zëvendësuesi të Cristiano Ronaldos, që u largua për te Juventusi. Ndjekja e mesfushorit francez të Manchester United, Pogba, ishte një nga “telenovelat” e mëdha të merkatos së verës, megjithëse nuk u bë e mundur marrëveshja përkatëse.

Presidenti Florentino Perez ka pranuar tashmë se të dy lojtarët kanë qenë në shënjestër nga klubi i tij, por shton se, edhe me fuqinë e tyre në treg, nuk kanë qenë në gjendje të bindin as gjigantët gjermanë, as ata nga “Old Trafford” për t’i shitur yjet në fjalë,  që nuk kanë klauzola lirimi në kontratë. “Ka lojtarë që nuk shiten, – u tha Perez gazetarëve. – Ne e kërkuam Lewandowski për disa vite dhe asgjë nuk ndodhi, sepse ai nuk ka klauzolë lirimi në kontratë, ndërsa Bayern Munich nuk pranon ta shesë. Nuk kemi asnjë mënyrë tjetër veprimi. Kjo ka ndodhur edhe me Pogba. Kur disa lojtarë mund të shiten, ne trokasim për to”.

Mosarritja e Lewandowskit mund të jetë pjesërisht shkak për të fajësuar sezonin e mjerë të klubit madrilen (2018-2019), kur luftoi për vendin e tretë në La Liga dhe u eliminua herët nga Champions-i. Sidoqoftë, Perez mendon se ky ishte një problem mentaliteti sesa mungesë e talentit në Madrid. Ai beson se shpenzimet e kësaj vere do të ndihmojnë në kapërcimin e situatës. “Ne kishim nëntë kandidatë për “Topin e Artë” dhe një ekip me vlerë 1.2 miliardë euro, – shpjegoi presidenti i bardhë për sezonin e kaluar. – Pra, problemi nuk ishte te një lojtar, por te mentaliteti i të gjithëve. Lojtarë të rëndësishëm kanë nënshkruar me ne kësaj vere, Eden Hazard midis tyre, ndaj presim që situate të ndryshojë për mirë”.