Aktualitet “Kaçifas u vetëvra”, reagon Prokuroria e Gjirokastrës

“Kaçifas u vetëvra”, reagon Prokuroria e Gjirokastrës

Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Gjirokastër, ka reaguar lidhur me lajmet e publikuara ditën e sotme në media, ku thuhej se shtetasi Kostandinos Kaçifas ishte vetëvrarë.

Përmes një komunikate për media, thuhet se çështja është në fazë hetimi dhe se lajmet e publikuara pa referencë zyrtare po dëmtojnë rëndë procesin hetimor.

Sipas Gjykatës, procedimi penal nr.824 i datës 24.12.2019 që ka si objekt pikërisht ngjarjen në Bularat  ”vazhdon të ndodhet në fazën e hetimeve paraprake dhe nga ana jonë nuk është arritur në asnjë konkluzion në lidhje me zgjidhjen e çështjes”.

Gjykata në këtë mënyrë deklaron se “çdo informacion i publikuar në media, pa ju referuar burimeve zyrtare, dëmton rëndë hetimet dhe nuk kontribuon në zgjidhjen e drejtë të çështjes”.

Konstandinos Kaçifas mbeti i vrarë më 28 tetor të vitit të vitit 2018 gjatë një përplasje me armë me policinë shqiptare në fshatin Bularat. Gjatë festimeve për festën kombëtare të Greqisë, Kaçifas qëlloi me armë në ajër dhe pasi pa që po afrohej patrulla e policisë, hapi zjarr dhe ndaj makinës së tyre.