Bota Kalenda greke e gjykimit për ”Agimin e Artë”

Kalenda greke e gjykimit për ”Agimin e Artë”

I nisur më 20 prill 2015, ky gjyq i pashembullt numëron 350 ditë seanca dëgjimore, shumë dëshmitarë, më shumë se 100 avokatë dhe një dosje të gjerë hetimore

Nga Helene Coliopulu – AFP

Magda Fisas, e cila e ka ndjekur për katër vite rresht gjyqin e pafund të partisë neonaziste, vendim që pritet të merret në fund të vitit 2019, e ulur në pjesën e prapme të sallës së Gjykatës Penale të Athinës, tha se dëshironte dënimin maksimal për ”Agimin e artë”, pasi sipas saj bëhet fjalë për një organizatë kriminale.

Djali i saj, reperi i njohur Pavlos Fisas, u godit për vdekje me thikë më 19 shtator 2013, në moshën 34-vjeçare në rrethinat jugperëndimore të Athinës dhe për këtë akuzohet një anëtar i ”Agimit të artë”.

Kjo tragjedi shkaktoi një valë ndjekjesh penale kundër udhëheqësve, deputetëve dhe anëtarëve të partisë që deri atëherë kishin gëzuar imunitet për sulmet ndaj emigrantëve dhe aktivistëve të majtë.

I nisur më 20 prill 2015, ky gjyq i pashembullt tashmë numëron 350 ditë seanca dëgjimore, shumë dëshmitarë, më shumë se 100 avokatë dhe një dosje të gjerë hetimore.

Janë gjykuar tashmë 69 persona duke përfshirë këtu edhe udhëheqësin e partisë, Nikos Mihaloliakos, deputetin 61-vjeçar dhe udhëheqësit e tjerë të lartë.

Të akuzuar për “konstituim organizate kriminale” dhe krime të ndryshme dhe vepra penale, ata rrezikojnë pesë deri në 20 vjet burg.

Në liri me kusht që nga viti 2015, pas 18 muajsh në paraburgim, të pandehurit kurrë nuk kanë marrë pjesë fizikisht në seancat dëgjimore. Ata janë përfaqësuar nga avokatët e tyre dhe e quajnë këtë gjyq një “konspiracion” për të prishur imazhin e partisë.

Përveç vrasjes së Pavlos Fisas, po gjykohen edhe dy krime të tjera: sulmi ndaj katër peshkatarëve egjiptianë pranë Pireut në qershor 2012 dhe “përpjekja për vrasje” në vitin 2013 nga anëtarët e bashkimit komunist “Pame”.

Për të pandehurit bëhet fjalë për një gjyq “historik”.

“Kjo është hera e parë që nga gjyqi i Nurembergut që një parti politike akuzohet se është një organizatë kriminale, anëtarët e të cilëve kanë kryer vepra të dhunshme”, thotë Chryssa Papadopoulou, përfaqësuese e familjes Fisas.

“Lëndë plasëse”

Në këtë seancë të 336-të, salla e gjyqit është e boshatisur. Tre gjyqtarë drejtojnë procedurën. Në krah të  prokurorit ka një duzinë avokatësh mbrojtës dhe të pandehurit të cilët mundohen të shfajsohen, në prani të katër gazetarëve.

“Fëmija im është i pafajshëm, ai nuk ka bërë asgjë,” mbrohet nëna e njërit prej të akuzuarve.

“Sa vjeç është djali yt?” pyet kryetari i gjykatës.

“Ai është 27 vjeç, jeton me mua, punon dhe nuk ka asnjë lidhje me ‘Agimin e artë’, nëse do të ishte kështu unë do t’ju tregoja, ai nuk merret me politikë,” i përgjigjet nëna.

“Ka një barrë të rëndë në këtë gjyq, prisja më shumë njerëz gjatë debateve”, ndërhyn Magda Fisas duke lëvizur dukshëm nga vendi, e veshur me të zeza.

“Momenti vendimtar është afër dhe të pandehurit duhet të bëjnë mirë llogaritë”, vlerëson prokurori Thanasis Kampajanis.

Me hyrjen në Parlament, për herë të parë në 2012, në kulmin e krizës, ”Agimi i artë” është tashmë forca e katërt politike greke me 16 deputetë nga 300.

Në zgjedhjet europiane në maj, vota e ”Agimit të artë” kreditohet me rreth 5,5%, bazuar në rezultatet e saj në zgjedhjet e fundit legjislative të vitit 2015 (6,9%).

Kjo parti aktualisht mohon çdo ideologji “neonaziste” dhe “çdo dhunë”, dhe e quan veten një parti e “ekstremit të djathtë” dhe “nacionaliste popullore”.

Por, për të pandehurit, kjo procedurë ka qenë shkatërruese.

“Kjo parti ka dëshmuar se jo vetëm janë kryer veprime të inkriminuara, por janë kryer në kuadrin e një organizate kriminale me një strukturë hierarkike dhe një ideologji nacional-socialiste”, thotë Kampajanis.

Ndërsa Naim Elgadur, president i komunitetit mysliman në Greqi thotë se të gjithë i kanë parë videot me militarët, grupe të njerëzve të veshur me të zeza, që mbanin  simbole të ngjashme me kryqin e thyer nazist, gjatë rrugëve të Athinës duke rrahur ose goditur me shufrat e hekurit.

“Sa herë që ‘Agimi i artë’ ndihet i kërcënuar, ai shfaqet në rrugë për të konfirmuar praninë e tij”, thotë Lefteris Papajanaqis, nënkryetar i bashkisë së Athinës.

Numri i sulmeve të ”Agimit të artë” ka rënë ndjeshëm që nga vrasja e Fisas, por dhuna sporadike ka rifilluar në prag të zgjedhjeve europiane dhe lokale, shtuar ato parlamentare të vjeshtës.