Kryesore Kalo: Drita është shfaqur në fund të tunelit, jo lehtësimit të masave...

Kalo: Drita është shfaqur në fund të tunelit, jo lehtësimit të masave pa shtrëngime

Mjeku i njohur infeksionit Tritan Kalo deklaroi sot se “drita fatmirësisht është shfaqur në fund të tunelit dhe edhe pse është ende vështirë të thuhet saktësisht se sa kohë na duhet ende të ecim në të, ditët më të vështira besoj se po i hedhim pas shpine”.

Kalo tha se “masat e marra për kufizimin e kontakteve, vetëizolimin, higjienën dhe ushqyerjen e duhur, tregojnë se jemi në udhë të mbarë”.

“Liberalizimi i tyre jo gradual dhe i pashoqëruar me të tjera masa shtrënguese, është në mendimin tim i parakohshëm nisur edhe nga eksperienca të ngjashme në Japoni dhe në Korenë e Jugut, të cilat ishin kundraproduktive me rinisjen e një vale të dytë infektimesh. Po ashtu edhe në Kinë vetëm dje pas lirimit te masave në Wuhan pati 67 raste të reja si dhe dy të vdekur nga COVID-19”, tha Kalo.

Ai u shpreh se “debati shterpë lidhur me numrin e testimeve mundet edhe të vijojë, për sa kohë politika vijon të prevalojë mbi profesionalizmin kudo dhe për çdo gjë në këtë ‘demon-kracinë’ tonë shpesh ‘andro-menopauzike’”.

Kalo bëri po ashtu një përshkrim të një dite normale pune në Spitalin Infektiv. “Fundi i javës së katërt të karantinës….Dita nis me udhëtimin në urbanin e caktuar për transportimin e personelit të shëndetësisë. Mbërritja në Shërbimin e Sëmundjeve Infektive në QSUT, COVID-1, sikundër ai njihet këto ditë të Pandemisë së Sars-Cov2/COVID-19. Tashmë nga klinicistët/infektiologët, unë mbetem aty “buka më e vjetër”, një pragpensionist.…Fillon dita e punës me mbledhjen e mëngjesit e të gjithë stafit me ekipin e rojes, që drejtohet nga Shefja e Shërbimit, Prof. N. Çomo, gjatë së cilës ne njihemi me evoluimin e situatës në spital…..Veshja me pajisjet e mbrojtjes personale, për aq kohë sa më duhet për të parë të sëmurët si dhe për të qëndruar në mjedisin e izolimit të tyre”, shprehet Kalo.

Në vijim ai shprehet se bëhen diskutime mes kolegësh për trajtimin sa më të kujdesshëm të të gjithë të sëmurëve, si dhe me përditësimin e dijenive tona mbi këtë sëmundje “flamë të përbotshme”.

“Bashkëqytetarë të këtij vendi, ju duam shumë. Durimi e ndërgjegjësimi juaj, si dhe puna e përkushtimi jonë kanë filluar të na shpërblehen. Bashkë ne do ia dalim mbanë”, tha Kalo.