Aktualitet Kalo: Uji dhe dielli ndihmojnë në luftën ndaj koronavirusit

Kalo: Uji dhe dielli ndihmojnë në luftën ndaj koronavirusit

Mjeku i njohur infeksionist Tritan Kalo, deklaroi sot se “numri i të prekurve nga COVID-19 është në rënie dhe është stabilizuar. Dje kemi pasur vetëm dy shtrime dhe uroj që me këtë ritëm të dalim shumë shpejt nga kjo situatë”.

Në një intervistë televizive mjeku Kalo theksoi se “masat tashmë janë drejt lirimit dhe uroj të bëhet sa më shpejt. Fatmirësisht është një trend në ulje që nuk është vetëm tek ne. Por ajo që nuk duhet të harrojmë është kombinimi i vetëndërgjegjësimit të popullatës me masat e marra kanë qenë dy faktorët bazë të uljes së nivelit të infektimit dhe atyre që kemi humbur, ajo që është e rëndësishme duhet të theksojmë se numri i infektimeve është i ulët, dhe jo vetëm në Shqipëri por në të gjithë ato vende që kanë aplikuar masat kufizuese kanë pasur një sukses të tillë”.

Mjeku Kalo u shpreh se “uji i detit dhe dielli janë një mënyrë e mirë që ndihmojnë në luftën ndaj koronavirusit”.

“Është mirëpërcaktuar se larja më shumë se 6 herë në ditë e duarve në ditë eliminon përhapjen e infeksioneve të ndryshme. Sa i përket detit ka mendime kontradiktore por të dhënat e fundit tregojnë se virusi Sars Cov 2 shkatërrohet shpejt, por nuk duhet të harrojmë faktin se uji i detit duhet të mbahet i higjienizuar”, – nënvizoi ai.

Mjeku Kalo theksoi se “higjiena e ujit të detit nuk lidhet vetëm me atë të virusit, por dhe me derdhjen e ujërave të zeza, por ajo që është e rëndësishme të theksojmë është se uji dhe dielli janë dy elementë të favorshëm ndaj luftës ndaj Sars Cov 2”.

“Gjithashtu nga ana mjekësore është e domosdoshme që njeriu psikologjikisht të lëvizë jashtë ambientit të shtëpisë që ka një kohë të gjatë mbyllur dhe të shkojë në ambiente që ka shumë ajër siç janë periferitë, për të ajrosur mushkëritë që nuk krahasohet me ajrin brenda shtëpisë”, – tha Kalo.