Sport “Kam duruar shumë këto kohë”, Griezmann flet për herë të parë mbi...

“Kam duruar shumë këto kohë”, Griezmann flet për herë të parë mbi marrëdhënien me Messin

Antoine Griezmann foli për herë të parë mbi marrëdhënien e tij me Leo Messin te Barcelona. Francezi pranoi se kur erdhi në fillim, gjërat nuk shkonin mirë për shkak të refuzimit që i kishte bërë klubit katalanas vetëm një vit më parë.

“Unë kam vetëm respekt dhe admirim për Messin dhe ai e di mirë këtë. Ish-menaxherin, nuk e takoj që prej ditës së dasmës time. Unë refuzova ofertën e parë nga Barcelona dhe erdha aty një vit me vonesë. Kur fola me Messin, më tha se kisha bërë gabim që kisha refuzuar ofertën e parë dhe se do të ishte në krahun tim deri në vdekje. Dhe këtë po e bën çdo ditë”, deklaroi Griezmann në një intervistë për “Universo Valdano”.

Francezi rrëfeu se ndihet si shënjestër te Barcelona për faktin se është i urtë: “Gjithmonë kam thënë se dua të flas në fushë, por ka ardhur koha që t’i sqaroj disa gjëra. Kam duruar shumë këto kohë. I pranoj kritikat, pasi tifozët nuk po shikojnë versionin tim më të mirë, por ndonjëherë teprohet. Duke qenë se jam i urtë, jam shënjestër e lehtë. Në një vit e gjysmë te Barcelona kam pasur 3 trajnerë të ndryshëm dhe kemi kaluar një pandemi, gjëra që ma kanë vështirësuar ambientimin. Ka kandidatë për President klubi që flasin për mua. Kam mjaftueshëm gjëra për të menduar, nuk kam nevojë që të më shtohen edhe deklaratat e tyre nëse jam apo jo një blerje e mirë për Barcelonën”.

Ndonëse francezi ka vendosur “t’i hedhë ujë zjarrit të ndezur” për raportet e tij me Messin, bashkëjetesa e tyre në fushën e lojës duket shumë e vështirë dhe Koeman është trajneri i tretë që po provon t’i bëjë të luajnë bashkë, por pa sukses.

Antoine Griezmann u transferua te Barcelona verën e 2019-ës, pasi katalanët vendosën të paguajnë 120 milionë eurot e parashikuara në klauzolën për prishjen e kontratës së tij me klubin e Atleticos së Madridit.