Aktualitet “Kam parë gjëra që ju nuk mund t’i imagjinoni”, detajet e operacionit...

“Kam parë gjëra që ju nuk mund t’i imagjinoni”, detajet e operacionit të shpëtimit të Alvinit

Nga aeroporti i “Fiumicinos” në Milano, të gjithë autoritet, italiane, shqiptare, siriane, që kanë marrë pjesë në operacionin për shpëtimin e vogëlushit Alvin Berisha, kanë dhënë një konferencë të përbashkët për shtyp.

Ata kanë përshëndetur operacionin e zhvilluar, dhe kanë theksuar se ky operacion, shënon hapjen e rrugës për të shpëtuar gjithë fëmijët e tjerë që ndodhen në kampin “AL Hol” në Siri.

Të pranishëm kanë qenë, ministri i brendshëm Sandër Lleshaj, shefi i anti-terrorit të Milanos, Presidenti i Kryqit të Kuq Italian, Presidenti i Gjysmë Hënës së Kuqe Siriane dhe drejtues të tjerë të cilët kanë marrë pjesë në këtë operacion.

Ministri i brendshëm Sandër Lleshaj tha se, falenderonte të gjithë ata që ndihmuan në këtë rast, sidomos në mënyrë të veçantë, autoritetet Libaneze të cilët kanë organizuar operacionin për shpëtimin e vogëlushit në terren.

“Nuk dua të përmend detajet e operacionit por dua të falenderoj të dy palët që ndihmuan në këtë operacion. Falenderoj sidomos kryqin e kuq ndërkombëtar, gjysmën e hënës së kuqe në Siri, autoritet italiane dhe shqiptare. Po ashtu dua të përshëndes në mënyrë të veçantë, autoritetet libaneze të cilët mbështetën operacionin në terren. Rasti ka vëmendje të veçantë dhe është ngritur pyetja nëse po përdoret politikisht? Dua të them se PO, Po e përdorim politikisht për të dhënë një mesazh.  Alvin Berisha është rast i trishtuar që dhuna terrorizmi, radikalizmi nuk duhet të jetë i pranishëm në jetët tona, ne nuk duhet të lejojmë që radikalizimi të bëhet pjesë e jetës tonë. Faleminderit të gjithëve për mbështetjen tuaj të jashtëzakonshme”, tha Lleshaj.

Ndërsa shefi i antiterrorit të Milanos tha se rasti i Alvin Berisha është një rast për tu festuar tani që pati një fund të lumtur. Ai tha se ky operacion është vetëm fillimi i riatdhesimit të fëmijëve të tjerë që ndodhen në kampin “Al hol”.

“Kam parë gjëra që ju njerëzit nuk mund t’i imagjinoni. Historia është e bukur, është e para herë që gjendem në një konferencë për shtyp, pasi ky në fakt është një rast feste. Historia e bukur është që ne e sollëm këtë fëmijë në shtëpi. Operacioni ka qenë një bashkëpunim ndërkombëtar, pra me pjesëmarrjen e të gjithëve. Edhe pse Alvin është me kombësi shqiptare ai është edhe një italian. Sot hapet rruga për të “Alvinët” e tjerë. Të gjithë protagonistët që shihni në këtë tavolinë kanë bërë punën e tyre në këtë përfundim të lumtur. Nuk mund të lemë fëmijët e tjerë që ndodhen atje nën dhunën dhe radikalizimin e terrorizmit”, tha ai.

Më tej në fjalën që mbajti Presidenti i Kryqit të Kuq Italian, tha se në kampin “AL Hol” janë gjithsej 3 jetimore, në të cilën ndodhen fëmijë të moshës nga 3 vjeç e sipër.

“Unë dua të theksoj diçka, që ne organizatat ndërkombëtare nuk mund të bëjmë diçka pa qeveritë përkatëse. Ishte disponimi i dy shteteve Italiane dhe Shqiptare të cilët thanë se ky fëmijë duhej nxjerrë që aty dhe ne vendosëm të bëjmë rolin tonë. Duke qenë të gjithë të disponueshëm, për të ndihmuar në këtë rast, u tregua se kur ka dialog dhe bashkëpunim nga të gjithë, mund të arrihet marrëveshja në këto zona, edhe kur ato duken sikur janë të pamundura”.

Ndërkohë Presidenti i Gjysmë Hënës së Kuqe Siriane, deklaroi se është i disponueshëm të ndihmojë për të gjithë fëmijët e tjerë.

“Jam i disponueshëm të ndihmojë në operacione të tjera, ju falenderojmë të gjithëve dhe shpresoj që operacione të tilla të kemi edhe në të ardhmen”, tha ai.

Vogëlushi Alvin Berisha, në sajë të një operacioni ndërkombëtar, për shpëtimin e tij nga kampi i “Al Hol”, mbërriti sot rreth orës 7 të mëngjesit, në aeroportin e “Fiumicinos” në Romë, ku tashmë është bashkuar me babin dhe motrat e tij.