Kryesore Kampion pas 26 vitesh! Partizani fiton derbin më të bukur të historisë

Kampion pas 26 vitesh! Partizani fiton derbin më të bukur të historisë

Partizani ka fituar derbin ndoshta më të bukur të historisë, duke qenë se është rikthyer kampion pas 26 vitesh.

“Të kuqtë” triumfuan 2-1 ndaj Tiranës, duke siguruar edhe matematikisht shpalljen kampion për këtë sezon, 3 javë nga fundi i kampionatit.

Autor i dy golave të Partizanit në këtë derbi ishte shkodrani Cinari, i cili realizoi në minutën e 30 të pjesës së parë, ndërsa 10 minuta më pas barazoi Greca. Por Cinari shënoi edhe golin e fitores, i cili shpalli kampion Partizanin pas 26 vitesh në minutën e 72.

Në anën tjetër, kjo humbje vështirëson pozitën e Tiranës në luftën e saj për mbijetesë, duke qenë se 3 javë para fundit është në kuotën e 40 pikëve, dy më shumë se Kastrioti i vendit të 9-të.

Në ndeshjet e tjera të kësaj jave, Kastrioti fitoi 2-0 ndaj Flamurtarit, Luftëtari mposhti 3-2 Kukësin, ndërsa Skënderbeu u mund në Korçë 1-2 nga Teuta.