Kryesore “Kampionët e Antikorrupsionit”, armiku i Ilir Metës mes 12 personave të vlerësuar...

“Kampionët e Antikorrupsionit”, armiku i Ilir Metës mes 12 personave të vlerësuar nga SHBA

Departamenti Amerikan i Shtetit ka shpërndarë çmimet ndërkombëtare për Antikorrupsionin dhe Transparencën për 12 personalitete në botë, mes të cilëve ish-kreu i KED, Ardian Dvorani. Sipas DASH, Ardian Dvorani është një figurë kyçe e reformës së sistemit gjyqësor në Shqipëri. Dvorani njihet dhe për përplasjet e forta me Ilir Metën. Dvorani u largua nga Gjykata e Lartë më 11 qershor me një vendim të Këshillit të Lartë Gjyqësor, gati 7 vjet pasi kishte përfunduar mandatin. Më pas, ai u caktua me detyrë gjyqtar në Gjykatën e Apelit Administrativ të Tiranës. Gjatë detyrës si kreu i KED ai ka pasur shpesh përplasje me presidentin Ilir Meta, sidomos gjatë procesit te emërimeve të kandidatëve për anëtarë të Gjykatës Kushtetuese.

DASH nënvijëzon se gjyqtari Ardian Dvorani ka zhvilluar mekanizma për të reduktuar influencën e krimit në politikë dhe në sistemin e drejtësisë, hapa të cilat ndihmojnë në vendimin për hapjen e negociatave dhe procesin e anëtarësimit të Shqipërisë në BE.

Dvorani ishte gjithashtu një anëtar kryesor në grupin e eksperteve të cilët ndërtuan vizionin dhe masat gjyqësorë për reformën e drejtësisë në Shqipëri, duke ndihmuar kështu në luftën kundër korrupsionit. Kontributi i tij u bë shkak për formimin e trupit të ri antikorrupsion në Shqipëri, Strukturës së Posaçme Antikorrupsion ose SPAK, bëhet me dije në njoftimin e DASH.

“Korrupsioni është një problem mbarëkombëtar që kërkon një zgjidhje ndërkombëtare. Sipas studimit të kryer nga Kombet e Bashkuara në 2018, 1 trilion dollarë paguhen çdo vit për ryshfete, ndërsa rreth 2.6 trilionë dollarë vidhen si pasojë e korrupsionit. Kjo vlerë është e barasvlershme me 5 përqind të Prodhimit të Brendshëm Bruto apo GDP-së globale.

Për të vërtetuar përkushtimin tonë të vazhdueshëm ndaj kësaj çështjeje, Sekretari Amerikan i Shtetit, Antony J. Blinken bëri të mundur Çmimin Ndërkombëtar të Kampionëve Anti-Korrupsion, i cili vë në dukje individë që shfaqin aftësi drejtuese, kurajë dhe ndikim në parandalimin, demaskimin dhe luftimin e korrupsionit. Ky çmim çon më tutje mbështetjen tonë për liderët dhe novatorët antikorrupsion që luftojnë për transparencë, drejtësi dhe lirinë e shtypit”, thotë DASH.